“Krimi i organizuar dhe korrupsioni lulëzojnë në heshtje” - mesazhi nga Tirana për bashkëpunimin mes drejtësisë dhe mediave

Lufta kundër krimit të organizuar, forcimi i sundimit të ligjit dhe bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të drejtësisë dhe mediave janë temat kryesore të konferencës ndërkombëtare “Nga hetimi te informimi publik: Forcimi i bashkëpunimit mes drejtësisë dhe mediave kundër krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor”, e cila ka nisur punimet sot (17 nëntor) dhe do të vazhdoj edhe nesër në Tiranë.
Përfaqësues të Bashkimit Evropian, diplomatë, zyrtarë qeveritarë dhe ekspertë të drejtësisë theksuan se transparenca institucionale dhe gazetaria e pavarur janë thelbësore për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe për avancimin e vendeve të rajonit drejt integrimit evropian.
Konferenca, e organizuar në kuadër të projektit EU4FAST, synon të forcojë dialogun dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të zbatimit të ligjit dhe mediave, duke promovuar informimin e përgjegjshëm të publikut dhe respektimin e parimeve të drejtësisë.
Në hapje të konferencës, Jan Muegge, udhëheqës i komponentit të projektit EU4FAST, theksoi se Ballkani Perëndimor vazhdon të përballet me sfida serioze në luftën kundër krimit të organizuar.
Ai nënvizoi se drejtësia dhe mediat e lira janë dy komponentë të rëndësishëm për forcimin e demokracisë dhe përmbushjen e standardeve evropiane.
Muegge rikujtoi se projekti EU4FAST është një iniciativë e Bashkimit Evropian për rajonin, në të cilën janë të përfshira vende partnere si Gjermania, Italia, Holanda, Danimarka dhe Franca, raporton Telegrafi.
Silva Caka, zëvendësministre e Punëve të Brendshme e Shqipërisë, theksoi rëndësinë e transparencës së institucioneve dhe të drejtës së qytetarëve për t'u informuar mbi veprimet e autoriteteve në luftën kundër krimit.
“Publiku ka të drejtë të dijë se si institucionet po veprojnë”, u shpreh Caka, duke vlerësuar rolin e gazetarisë investigative në zbulimin e veprimtarive kriminale.
Ajo theksoi se gazetarët që raportojnë për krimin e organizuar shpesh përballen me presione, kërcënime dhe madje dhunë fizike, prandaj mbrojtja e tyre duhet të jetë prioritet institucional.
“Një shtet i fortë nuk është vetëm ai që ushtron autoritet, por ai që e ushtron atë sipas ligjit dhe fiton besimin e publikut”, deklaroi Caka.
Ndërkaq, ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Karl Bergner, tha se bashkëpunimi ndërmjet prokurorëve dhe gazetarëve është i domosdoshëm për të luftuar një fenomen që i tejkalon kufijtë shtetërorë.
“Prokurorët dhe gazetarët zakonisht takohen vetëm në sallat e gjyqit ose në konferenca. Sot po takohemi në formën e dialogut për të parë se si mund të bashkëpunojmë për ta luftuar krimin e organizuar”, tha Bergner.

Sipas tij, krimi i organizuar është problem ndërkombëtar dhe përballja me të kërkon koordinim ndërmjet institucioneve dhe shteteve.
Ai theksoi se bashkëpunimi duhet të respektojë parimet themelore të drejtësisë, përfshirë prezumimin e pafajësisë, mbrojtjen e viktimave dhe identitetin e personave të përfshirë në procedura.
“Një media e lirë nuk është kundërshtare e sistemit të drejtësisë, por është një shtyllë e llogaridhënies”, u shpreh ambasadori gjerman.
Bergner shtoi se komunikimi transparent i institucioneve të drejtësisë ndikon drejtpërdrejt në rritjen e besimit të qytetarëve.
“Mediat duhet të mbeten të pavarura dhe të përgjegjshme, ashtu siç duhet të jetë edhe sistemi i drejtësisë”, theksoi ai.
Ambasadorja e Mbretërisë së Holandës në Shqipëri, Marleen Monster, vlerësoi se institucionet shtetërore nuk mund ta luftojnë të vetme krimin e organizuar.
Ajo theksoi se sundimi i ligjit në Ballkanin Perëndimor ka rëndësi jo vetëm për vendet e rajonit, por edhe për sigurinë dhe stabilitetin e Evropës, raporton Telegrafi.
Në të njëjtën linjë, Cinzia Tarletti, shefe e sektorit për Sundimin e Ligjit dhe Qeverisjen e Mirë në Delegacionin e Bashkimit Evropian në Shqipëri, deklaroi se lufta kundër krimit të organizuar kërkon jo vetëm hetime profesionale dhe transparente, por edhe informim të besueshëm të publikut.
“Gazetarët i shërbejnë interesit publik duke i publikuar faktet në mënyrë transparente”, tha Tarletti.
Ajo theksoi nevojën për marrëdhënie të qëndrueshme ndërmjet mediave dhe institucioneve të drejtësisë, duke paralajmëruar se mungesa e transparencës krijon hapësirë për veprimtari kriminale.
“Bashkëpunimi është i nevojshëm, sepse krimi i organizuar dhe korrupsioni lulëzojnë në heshtje”, deklaroi ajo.
Përfaqësuesja e BE-së theksoi se Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor duhet të dëshmojnë rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, krahas garantimit të lirisë së mediave.
Sipas saj, këto janë ndër kërkesat themelore të Bashkimit Evropian për shtetet që synojnë anëtarësimin.

Ish-ministrja austriake: Mediat duhet ta kontrollojnë pushtetin, edhe kur kjo është e papërshtatshme për politikanët
Një nga fjalimet kryesore të konferencës u mbajt nga Dr. Alma Zadiç, anëtare e Këshillit Kombëtar të Austrisë, nënkryetare e Klubit Parlamentar të të Gjelbërve, zëvendëskryetare e Komisionit për Drejtësi dhe ish-ministre e Drejtësisë e Austrisë.
Në fjalimin me temën “Transparenca dhe drejtësia: Aleanca thelbësore ndërmjet mediave dhe drejtësisë”, Zadiç theksoi se gazetaria dhe gjyqësori kanë role të ndryshme, por plotësuese në mbrojtjen e demokracisë.
“Është detyrë e gazetarëve të ngrenë pyetje, të hetojnë dhe të kritikojnë ata që janë në pushtet. Është detyrë e atyre që janë në pushtet ta pranojnë këtë, edhe pse ndonjëherë mund të jetë e papërshtatshme”, deklaroi ajo.
Sipas Zadiç, gjyqësori administron drejtësinë, ndërsa mediat bëjnë që ushtrimi i saj të jetë i dukshëm për publikun.
“Gjyqësori e interpreton dhe e zbaton ligjin, duke i mbajtur individët përgjegjës kur e shkelin atë. Mediat, si pushteti i katërt, kontrollojnë dhe ekspozojnë abuzimin me pushtetin, duke sjellë në dritë informacione që mund të çojnë edhe në hetime penale”, theksoi ish-ministrja austriake, raporton Telegrafi.
Ajo solli si shembull përvojën e Austrisë gjatë periudhës kur drejtonte Ministrinë e Drejtësisë, nga viti 2020 deri në vitin 2025, duke iu referuar skandaleve të korrupsionit që tronditën vendin.
“Korrupsioni ndodh kudo”, tha Zadiç, duke kujtuar hetimet që u zhvilluan lidhur me dyshimet për keqpërdorimin e fondeve publike për të ndikuar në opinionin publik përmes mediave.
Ajo iu referua edhe skandalit politik që çoi në dorëheqjen e ish-kancelarit austriak Sebastian Kurz.
Sipas saj, këto zhvillime nxorën në pah marrëdhënie problematike ndërmjet politikës, institucioneve dhe mediave, duke dëshmuar rëndësinë e pavarësisë institucionale dhe transparencës.
Zadiç theksoi gjithashtu se Austria vazhdon të përballet me sfida sa i përket organizimit të një prokurorie plotësisht të pavarur nga Ministria e Drejtësisë.
Konferenca në Tiranë vijon me diskutime mbi rolin e drejtësisë, transparencës dhe interesit publik, me fokus të veçantë në përgjegjësitë dhe kufijtë e bashkëpunimit ndërmjet mediave dhe institucioneve të drejtësisë në Ballkanin Perëndimor. /Telegrafi/







































