Paraditen e kësaj të marte, ish-drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj, është paraqitur në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në kuadër të masës “detyrim paraqitje” të vendosur ndaj saj.
Mirlinda Karçanaj akuzohet se me të pandehurit e tjerë të dosjes kanë vepruar si një grup i strukturuar kriminal duke manipuluar tenderat, favorizuar kompani dhe ushtruar presion te operatorët konkurrues.
Të lidhura
None found
DOSJA AKSHI Sipas SPAK, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri konsiderohen si dy nga personat kryesorë të skemës kriminale. Ata akuzohen për konkurrencë të paligjshme përmes dhunës, heqje e paligjshme e lirisë, shkelje të barazisë në tendera, grup i strukturuar kriminal dhe pastrim parash.
Sipas hetimeve, ata kanë ushtruar presion dhe intimidim ndaj përfaqësuesve të kompanive pjesëmarrëse në tendera për t’i detyruar të hiqnin dorë nga ankimimet, me qëllim që kompanitë e favorizuara të shpalleshin fituese.
Ish-drejtuesja e AKSH-t Mirlinda Karçanaj dhe zëvendësja e saj, Hava Delibashi, akuzohen për shkelje të barazisë në tendera dhe grup i strukturuar kriminal.
Sipas SPAK, ato dyshohet se kanë pasur rol në procedurat e manipuluara të tenderimit dhe në favorizimin e kompanive të caktuara përmes kritereve të vendosura në mënyrë të paligjshme.
Ish-zëvendës drejtori i Policisë së Tiranës Erion Ismaili akuzohet për konkurrencë të paligjshme përmes dhunës dhe grup i strukturuar kriminal.
Biznesmenët Andis Papa, Gëzim Hoxha dhe Rogers Rryta akuzohen për pastrim parash dhe grup i strukturuar kriminal. PASURITE E SEKUESTRUARA SPAK sekuestroi pasuri me vlerë me 40 milionë euro në Mirlinda Karçanajt, Ergys Agasit, Ermal Beqirit, Andis Papës dhe Erion Ismailit. Karçanajt iu sekuestrua një apartament dhe një pronë në Tiranë, një pasuri në Qerret, një ullishte në Sauk, një makinë Volksëagen Tiguan dhe disa llogari bankare.
Ergys Agasit iu sekuestruan dhjetëra pasuri, përfshirë vila dhe prona në Petrelë, Lundër, Durrës dhe Vlorë, apartamente, garazhe, troje, tokë arë dhe pyje me mijëra metra katrorë. Po ashtu iu bllokua një automjet Land Rover Defender 2023, kompania “E.A.S” dhe disa llogari bankare në banka të ndryshme.
Ermal Beqirit SPAK i sekuestroi troje në Green Coast dhe Tiranë, vila në Rolling Hills, apartament në Golem, një jaht me emrin “Skyfall”, dy kompani private, automjete dhe llogari bankare në emër të tij dhe subjekteve të lidhura.
Ndërkohë, ndaj Andis Papës janë sekuestruar mbi 505 milionë lekë në dy kompani të ndryshme, ndërsa ndaj Erion Ismailit është sekuestruar një shumë prej rreth 100 milionë lekësh në subjektin “A”.








