Aktualitet

Kokaina në Frakull, ekstradohet nga Spanja një prej financuesve të trafikut!

U ekstradua nga Spanja në Shqipëri një prej personave të akuzuar për trafikimin e 485 kilogramëve kokainë, të zbuluara në vitin 2022 në fshatin Frakull e Madhe të Fierit. Bëhet fjalë për 49-vjeçarin Kevin Margjoni alias Arjan Margjoni, i dyshuar se ka financuar dhe negociuar trafikimin e sasisë së drogës, të fshehur në thasë me pleh kimik.

Sipas Policisë së Shtetit, 49-vjeçari u ekstradua pas bashkëpunimit mes Interpolit shqiptar dhe homologëve në Madrid, në kuadër të operacionit ndërkombëtar “The Wanted”.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi në mars të këtij viti, Gjykata e Posaçme i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”.

49-vjeçari akuzohet për trafikim të lëndëve narkotike, në bashkëpunim dhe në formën e grupit të strukturuar kriminal, si dhe për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.