Tjetërsimi i 67 hektarëve tokë, SPAK kërkon burg për ish kryebashkiakun e Divjakës dhe zyrtarëve të tjerë

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar për ish- kreun e Bashkisë së Divjakës, Fredi Kokoneshi, dëniminme 1 vit burgim për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të kryer në bashkëpunim. Krahas dënimit me burg, prokuroria ka kërkuar edhe ndalimin e ushtrimit të funksioneve publike për një periudhë prej 3 vitesh.
Prokuroria kërkon shpalljen fajtor edhe tre të pandehurve të tjerë, Dorjan Spaho, Andi Bullari dhe Ledio Xharo, të akuzuar për “Shpërdorim të detyrës” në bashkëpunim.
Për Dorjan Spahon kërkohet 1 vit burgim dhe 2 vite ndalim të ushtrimit të funksioneve publike, për Andi Bullari kërkohet 1 vit burgim dhe 2 vite ndalim të ushtrimit të funksioneve publike, ndërsa për Ledio Xharo, 1 vit burg dhe 2 vite ndalim për ushtrimin e funksioneve publike.
Çështja lidhet me dhënien me qira të rreth 67 hektarëve tokë në pronësi të shtetit, për ndërtimin e impianteve diellore. Këto sipërfaqe rezultonin të regjistruara në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës si tokë bujqësore.
SPAK pretendon se zyrtarët kanë kryer veprime në kundërshtim me ligjin gjatë procedurave për ndryshimin e kategorisë së tokës dhe dhënien e saj me qira për një periudhë 10-vjeçare.
Në konkluzionet e saj, prokuroria vlerëson se provat e administruara gjatë hetimit dhe gjykimit mbështesin akuzën e shpërdorimit të detyrës të kryer në bashkëpunim.




