Avokati Plarent Ndreca është paraqitur këtë të martë në ambientet e Gjykatës së Posaçme, ku pritet të mbahet seanca e radhës e procesit gjyqësor ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Në seancën e mëparshme, një nga çështjet që mori vëmendje ishte transferimi i Veliajt nga institucioni i paraburgimit në Tiranë drejt atij të Fierit.

Gjatë shqyrtimit gjyqësor, u lexua një shkresë e kryebashkiakut, përmes së cilës ai shprehte kundërshtimin e tij për mënyrën se si ishte realizuar transferimi.

Sipas pretendimeve të Veliajt, vendimi ishte zbatuar pa e informuar paraprakisht dhe pa i komunikuar vendndodhjen ku do të dërgohej.

Kryebashkiaku ngrinte gjithashtu shqetësimin se zhvendosja në Fier e kishte larguar rreth 100 kilometra nga Gjykata e Posaçme, ku po zhvillohet procesi ndaj tij.

Në shkresë, ai theksonte edhe distancën e krijuar nga familja, duke përmendur bashkëshorten, dy fëmijët e mitur dhe nënën e tij pensioniste.

Por një nga pretendimet më të forta të Veliajt lidhej me një vizitë të ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, në institucionin e paraburgimit në Fier.

Sipas asaj që kryebashkiaku ka deklaruar në dokumentin drejtuar gjykatës, gjatë kësaj vizite ministri i kishte komunikuar se transferimi ishte bërë me urdhër personal të kryeministrit Edi Rama.