Avokati Plarent Ndreca u paraqit sot në Gjykatën e Posaçme, ku pritet zhvillimi i seancës së rradhës në procesin gjyqësor ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Në seancën paraprake, gjykata lexoi një shkresë të dorëzuar nga vetë Veliaj, në të cilën ai shpreh kundërshtimin ndaj transferimit të tij nga paraburgimi i Tiranës në atë të Fierit.
Sipas dokumentit të paraqitur në gjykatë, Veliaj pretendon se transferimi u krye pa njoftim paraprak dhe pa i bërë të ditur destinacionin ku do të dërgohej. Ai kundërshton gjithashtu vendosjen e tij në një vend që ndodhet rreth 100 kilometra larg gjykatës ku po zhvillohet procesi, si dhe larg familjes së tij — bashkëshortes, dy fëmijëve të mitur dhe nënës së tij pensioniste. Në shkresë, Veliaj vë në dukje shqetësimin për ndikimin që ky largim mund të ketë ndaj mundësisë së tij për të marrë pjesë në proces dhe për kontaktet me familjarët, si dhe kundërshton procedurën e transferimit për mënyrën se si është kryer.
Një tjetër pretendim i ngritur në të njëjtën shkresë lidhet me një vizitë të ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, në paraburgimin e Fierit. Veliaj deklaron se gjatë asaj vizite ministri i kishte thënë se transferimi ishte bërë me urdhër personal të kryeministrit Edi Rama. Kjo pretendim përfshihet në argumentet që Veliaj i ka parashtruar gjykatës për të kundërshtuar ligjshmërinë dhe arsyetimin e transferimit të tij.
Në përputhje me procedurat, gjykata ka marrë në shqyrtim shkresën e Veliajt gjatë seancës së kaluar, ndërsa dita e sotme shënon paraqitjen e avokatit të tij në Gjykatën e Posaçme, para zhvillimit të seancës së ardhshme të procesit.
