
Kombëtarja e Serbisë po kalon një nga periudhat më të vështira në historinë e saj. Humbja e fundit ndaj Greqisë në Ligën e Kombeve ka thelluar krizën e skuadrës serbe, e cila ka regjistruar një statistikë alarmante gjatë vitit 2026.
Sipas raportimit të medias serbe “Kurir”, Serbia ka humbur nëntë nga dhjetë ndeshjet e zhvilluara këtë vit, duke ndarë rekordin negativ me San Marinon. Të dyja përfaqësueset kanë regjistruar vetëm një fitore dhe 9 disfata, bilanci më i dobët mes kombëtareve europiane.
Fitorja e vetme e serbëve erdhi në muajin mars, ndaj Arabisë Saudite. Më pas, rezultatet kanë qenë katastrofike. Në miqësore, Serbia u mposht nga Spanja, Kepi i Gjelbër dhe Meksika, ndërsa në Ligën e Kombeve pësoi nga Gjermania, Holanda dhe Greqia, duke humbur nga dy herë ndaj secilës prej tyre.
Situata u bë edhe më e rëndë pas përfundimit të grupit A2, ku Serbia e mbylli garën në vendin e fundit me zero pikë, pas Gjermanisë, Holandës dhe Greqisë. Tashmë, përfaqësuesja serbe do të duhet të luajë në fazën e “play-off”-it për të siguruar qëndrimin në Ligën A.
