
Kanadaja dhe Kina kanë rënë dakord të thellojnë bashkëpunimin ekonomik dhe të ulin më tej tarifat për një sërë produktesh, në një kohë kur të dyja vendet po përpiqen të reduktojnë varësinë nga Shtetet e Bashkuara, përcjell DW.
Marrëveshjet u arritën gjatë bisedimeve mes kryeministrit kanadez, Mark Carney, dhe presidentit kinez, Xi Jinping, përpara samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), që po zhvillohet në Shenzhen. Lajmi u bë i ditur të martën nga qeveria kanadeze.
Këto marrëveshje shënojnë një afrim të mëtejshëm mes dy vendeve, pas disa vitesh marrëdhëniesh të tensionuara. Përplasjet tregtare me Uashingtonin kanë nxitur si Otavën, ashtu edhe Pekinin, të kërkojnë alternativa për të diversifikuar marrëdhëniet e tyre ekonomike dhe për të ulur varësinë nga tregu amerikan.
Gjatë takimit, Carney vlerësoi se marrëdhëniet me Kinën po bëhen më të parashikueshme dhe të qëndrueshme. Nga ana e tij, Xi u shpreh se bashkëpunimi mes dy vendeve do të sillte përfitime jo vetëm për Kanadanë dhe Kinën, por edhe për rajonin e Azi-Paqësorit dhe më gjerë.
Kryeministri kanadez deklaroi gjithashtu se vendi i tij ka shënuar përparim më të shpejtë nga sa ishte parashikuar drejt objektivit për të rritur eksportet në Kinë me 50% deri në fund të kësaj dekade.