Mourinho nuk e preferon, Real Madridi hap dyert për largimin e yllit të skuadrës

Real Madridi ka hapur dyert për largimin e Trent Alexander-Arnoldit, pasi është i gatshëm të dëgjojë ofertat që mund të vijnë për mbrojtësin e djathtë anglez.
Sipas raportimeve të Sky Sport Germany, drejtuesit e klubit madrilen nuk e përjashtojnë mundësinë e shitjes së 28-vjeçarit, i cili nuk ka arritur të përmbushë pritshmëritë që nga transferimi i tij si lojtar i lirë nga Liverpooli në vitin 2025.
Alexander-Arnold ka pasur vështirësi për të siguruar një vend të rregullt në formacionin titullar të Real Madridit, ndërsa situata e tij është komplikuar edhe më shumë pas ardhjes së Jose Mourinhos në krye të skuadrës.
Anglezi ka regjistruar vetëm pesë paraqitje si titullar në tetë ndeshjet e këtij sezoni.

Mourinho ka preferuar ta aktivizojë Federico Valverden në pozitën e mbrojtësit të djathtë, ndërsa konkurrencë shtesë për këtë pozitë përbën edhe Denzel Dumfries.
Për shërbimet e Alexander-Arnoldit është përfolur interesimi i Bayern Munichut, por gjiganti gjerman nuk është duke ndjekur në mënyrë aktive transferimin e tij.
Ndërkohë, interesim për anglezin kanë shfaqur edhe Chelsea dhe Liverpooli, klubi ku ai kaloi pjesën më të madhe të karrierës dhe u shndërrua në njërin prej mbrojtësve më të mirë në botë.
Megjithatë, Mourinho së fundmi kishte mohuar spekulimet për largimin e tij gjatë afatit kalimtar të janarit./Telegrafi/












































