Në një reagim, Çitaku ka shprehur zhgënjimin dhe shqetësimin e saj për aktgjykimin, duke vlerësuar se besimi në paanshmërinë e kësaj gjykate është cenuar thellë.

Çitaku ka përmendur kontestimet procedurale, proceset e njëpasnjëshme dhe zvarritjet shumëvjeçare, të cilat, sipas saj, kanë thelluar pikëpyetjet për mënyrën e administrimit të drejtësisë nga kjo gjykatë.

Ajo ka thënë se drejtësia nuk mund të ketë standarde të ndryshme për të akuzuarit dhe për gjyqtarët.

“E turpshme! E papranueshme!

Nuk ka asgjë më shqetësuese për drejtësinë sesa kur vendimet e saj pushojnë së befasuari, sepse besimi në paanshmërinë e saj është cenuar thellë.

Shpreh zhgënjimin dhe shqetësimin tim të thellë për vendimin e sotëm të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve, në procesin për pengim të drejtësisë.
Kontestimet procedurale, proceset e njëpasnjëshme dhe zvarritjet shumëvjeçare i kanë thelluar pikëpyetjet tona serioze për administrimin e drejtësisë të kësaj Gjykate.

Drejtësia nuk mund të ketë dy standarde: një për ata që gjykohen dhe një tjetër për ata që gjykojnë.
Padrejtësisë do t’i përgjigjemi ashtu siç e meriton: me qëndresë, mobilizim dhe përkushtim të palëkundur shtetëror e mbarëkombëtar. Me veprime konkrete politike, juridike e diplomatike. Me vendosmëri, deri në fund!

Lufta jonë për liri ishte e drejtë. UÇK ishte ushtria jonë çlirimtare. Sakrifica e një populli për çlirim është pjesë e pandryshueshme e historisë sonë dhe nuk mund të njolloset - asnjëherë. Me çlirimtarët, deri në liri!”, ka deklaruar Çitaku.