Bllokimi i kontrollit parlamentar/ Tabaku: Demo e Hitaj refuzojnë dëgjesat, PS bllokon kërkesën për AMA-n

11:05, 17/11/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Pas pjesëmarrjes në AFET, kryetarja e Komisionit të të Drejtave të Njeriut dhe Medias kërkon përgjigje për trajtimin e protestuesve dhe gazetarëve, si dhe për gjobat ndaj mediave.

Kryetarja e Komisionit të të Drejtave të Njeriut dhe Medias, Jorida Tabaku, denoncoi refuzimin e ministrit të Brendshëm, Ervin Demo, dhe të drejtorit të Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj, për t’u paraqitur në dëgjesa publike mbi sjelljen e policisë gjatë protestave. Në deklaratën për mediat, ajo akuzoi edhe deputetët socialistë të komisionit se kanë bllokuar përcjelljen e kërkesës për dëgjesë me drejtuesen e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA).

Sipas Tabakut, kërkesa për thirrjen e ministrit të Brendshëm është depozituar në protokollin e Kuvendit prej më shumë se një muaji dhe është përballur me heshtje e refuzim. Ajo tha se edhe kërkesa e mëpasshme drejtuar Skënder Hitajt për të shpjeguar veprimet e policisë gjatë protestave studentore është refuzuar.

Deputetja kërkoi përgjigje për mbi 1 000 persona të shoqëruar në polici, mes të cilëve 250 të mitur. Ajo denoncoi përdorimin disproporcional të gazit dhe goditjet me plumba gome në nivelin e syve, duke ngritur shqetësimin edhe për punonjës policie që, sipas saj, nuk mbanin mjete të qarta identifikimi.

Tabaku tha se janë raportuar mbi 60 incidente mes policisë dhe gazetarëve e fotoreporterëve, për të cilat kërkoi shpjegime nga ministri dhe drejtori i Policisë.

“Mirëpo ata kanë zgjedhur të heshtin!”, u shpreh ajo.

Për AMA-n, Tabaku sqaroi se anëtarët e mazhorancës në komision kanë refuzuar edhe ta përcjellin kërkesën për dëgjesë me drejtuesen e institucionit. Ajo i akuzoi se po i bëhen mburojë politike dhe e akuzoi autoritetin për anësi në gjobitjen e mediave që u japin hapësirë zërave opozitarë. Në këtë kontekst, përmendi edhe retorikën e kryeministrit Edi Rama ndaj News 24 dhe Syri TV.

Duke folur për pjesëmarrjen e saj në Komisionin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian (AFET), Tabaku tha se këto çështje ishin pjesë e raportimeve të saj në diskutimet për Shqipërinë. Sipas saj, shqetësimet kishin gjetur dakordësi edhe mes eurodeputetëve të majtë dhe përfaqësuesve të partive që nuk janë simotra me PD-në.

Tabaku kërkoi që Kuvendi të rikthehet në rolin e tij kushtetues të kontrollit dhe llogaridhënies.

“Një demokraci nuk mund të jetë institucionale nëse nuk ka transparencë dhe kontroll”, deklaroi ajo.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco