Toto Wolff nuk ka asnjë dyshim për të ardhmen e Kimi Antonellit te Mercedes. Drejtuesi i skuadrës gjermane i ka dhënë një mesazh të qartë rivalëve, veçanërisht Ferrarit, duke theksuar se piloti italian është pjesë e projektit të Mercedesit dhe nuk ka arsye për t’u larguar.

Në një intervistë për gazetën gjermane “Bild”, në prag të Çmimit të Madh të Las Vegasit, Wolff ka vlerësuar paraqitjet e Antonellit, duke kujtuar edhe momentet e vështira të sezonit të kaluar, kur talenti italian ishte në qendër të kritikave.

“Në një pikë të sezonit të kaluar Kimi ishte në qendër të kritikave, edhe nga ne. Por nuk dyshuam asnjë moment tek ai. Donim të shikonim një performancë më të mirë, atë që ai tregoi gjatë këtij viti fenomenal. Të jesh i pjekur dhe i aftë të përballosh presionin në moshën e tij, është e jashtëzakonshme. Është një kampion i madh”, theksoi CEO i Mercedes.

Megjithatë, sipas austriakut, besimi ndaj tij nuk është lëkundur asnjëherë. Përkundrazi, pjekuria dhe aftësia për të përballuar presionin, pavarësisht moshës së re, e kanë bindur Mercedesin se ka në duar një kampion të madh.

“Kimi ka një kontratë edhe për vitin e ardhshëm. Nuk komentoj numrat, por mund të them këtë: nga pikëpamja financiare nuk ka asnjë shqetësim. Është e rëndësishme për Kimin dhe familjen e tij të ketë një makinë kompetitive. Njëkohësisht, ne e dimë që kemi në skuadër një kampion botë që duhet të trajtohet siç i takon. Nuk jam aspak i shqetësuar për hipotezën se Kimi herët a vonë do të tentohet nga Ferrari. Jam 0% i shqetësuar. Këtë sezon kemi treguar se jemi një skuadër fituese, kjo është më e rëndësishmja për çdo pilot, përfshirë edhe Kimin. Ai i përket Mercedes-it ashtu si rrotat e makinës. Kur fitoi titullin tha se nuk e imagjinon të garojë me makina të tjera” – ka thënë Wolff.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb