Cindy Crawford dhe bashkëshorti i saj, Rande Gerber, kanë marrë një vendim të vështirë familjar, duke nxjerrë në shitje shtëpinë e djalit të tyre të ndjerë, Presley Gerber, gati dy muaj pas ndarjes së tij nga jeta në moshën 27-vjeçare.

Prona luksoze në Hollywood Hills është nxjerrë në treg më 13 nëntor, me një çmim prej 3.595 milionë dollarësh. Shtëpia ishte në pronësi të Presley-t që prej vitit 2023, kur ai e bleu për 3.4 milionë dollarë.

E ndërtuar në vitin 1955, banesa ka një sipërfaqe prej rreth 280 metrash katrorë dhe ndodhet në një truall prej afro gjysmë hektari, e rrethuar nga gjelbërimi dhe privatësia. Ajo përfshin katër dhoma gjumi, tre banja, ambiente të bollshme që ndërthurin hapësirat e brendshme me ato të jashtme, si dhe një pishinë me ngrohje, xhakuzi, sauna dhe një shtëpi të veçantë për mysafirët.

Pas humbjes së të birit, Cindy dhe Rande janë fotografuar në disa raste duke vizituar pronën, e cila tashmë është vënë në shitje. Vendimi vjen në një periudhë veçanërisht të dhimbshme për familjen, e cila ende po përballet me humbjen e papritur.

Presley Gerber ndërroi jetë më 20 shtator 2026, në një qendër rehabilitimi në Santa Monica, vetëm një ditë pasi ishte regjistruar në institucionin Resolutions Living. Në momentin e lajmit tragjik, një përfaqësues i familjes kërkoi respektimin e privatësisë së tyre, duke deklaruar për revistën HELLO!: “Familja kërkon privatësi gjatë kësaj periudhe jashtëzakonisht të vështirë dhe të dhimbshme.”

Ndërkohë, sipas raportimeve të mediave amerikane, policia u njoftua fillimisht për një rast arresti kardiak në adresën ku ndodhej Presley. Në komunikimet e shërbimeve të emergjencës u përmend gjithashtu dyshimi për mbidozë.

Autoritetet kanë konfirmuar se vdekja po hetohet si një mbidozë e dyshuar, ndërsa deri më tani nuk ka indicie për përfshirje të palëve të treta. Autopsia ka përfunduar, por shkaku zyrtar i vdekjes ende nuk është bërë publik dhe hetimet vijojnë.