Shtatorja e Shën Annibale Maria Di Francia, meshtarit italian që ia kushtoj jetën fëmijëve jetimë dhe atyre në nevojë është vendosur pranë kishës së Pllanës në Lezhë.

Vepra është realizuar nga skulptori Ervis Gjini dhe u financua nga Marjan Kola, një emigrant i kesaj zone. Përurimi u zhvillua në kuadër të 25-vjetorit të themelimit të shkollës 9-vjeçare jopublike “Effata”, ndersa në ceremoni morën pjesë autoritete vendore, të klerit katolik, nxënës e mësues.

Ipeshkvi i Dioqezës së Lezhës dhe drejtori i arsimit vlerësuan rolin e shkollës “Effata” në edukimin dhe formimin e brezave të rinj.

Shën Annibale Maria Di Francia lindi ne 1851 në Mesinë të Italisë, dhe ia kushtoi jetën Zotit dhe shërbimit ndaj të varfërve. Ai ndërroi jetë ne1927 dhe u shpall shenjt nga Papa Gjon Pali II më 16 maj 2004. Shën Annibale Maria Di Francia është themeluesi i Kongregacioneve të Rogacionistëve dhe Motrave të Zellos Hyjnore, të cilat janë të pranishme edhe në Shqipëri.