Trupi i pajetë i Ermal Lulajt, shefit të Krimeve të Vlorës, ka mbërritur në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Fier, një ditë pas aksidentit tragjik që i mori jetën në autostradën Fier-Vlorë.
Efektivi humbi jetën mbrëmjen e djeshme, pasi automjeti tip “Toyota” me të cilin udhëtonte u përplas me një skrep në lëvizje, në afërsi të Novoselës.
Gjatë ditës së sotme, nga ora 11:00 deri në 12:00, do të zhvillohen homazhet në nderim të tij, ku pritet të marrin pjesë familjarë, të afërm dhe kolegë. Në ambientet e Drejtorisë së Policisë Fier është i pranishëm edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, i cili i është bashkuar homazheve.
Ermal Lulaj kishte një karrierë të gjatë në radhët e Policisë së Shtetit, ku kishte mbajtur disa detyra drejtuese në qarqe të ndryshme. Më herët kishte shërbyer edhe si shef i Antidrogës.
Ai lë pas tre fëmijë dhe një dhimbje të madhe te familjarët, miqtë dhe kolegët e tij. Pas homazheve, efektivi i ndjerë do të përcillet për në banesën e fundit në varrezat e qytetit.
