Nënkryetari i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, ka zhvilluar një takim në Milano me Maurizio Lupin, kryetar i partisë italiane “Ne të Moderuarit” (Noi Moderati) dhe aleat i kryeministres Giorgia Meloni në koalicionin qeverisës të qendrës së djathtë në Itali.

Përmes një reagimi, Gjekmarkaj e cilësoi Lupin si një politikan të njohur të së djathtës italiane, një prej themeluesve të Forza Italia-s së Silvio Berlusconit, deputet prej 25 vitesh, ish-ministër i Transporteve dhe ish-nënkryetar i Dhomës së Deputetëve.

Një pjesë e rëndësishme e bisedës, sipas Gjekmarkajt, iu kushtua zhvillimeve politike në Shqipëri, protestave kundër korrupsionit dhe skandaleve qeveritare, si dhe përpjekjeve të opozitës për zgjerimin e frontit opozitar në prag të zgjedhjeve lokale.

“Biseduam gjerësisht mbi zhvillimet politike në Shqipëri, sfidat me të cilat përballet shoqëria shqiptare në këtë stinë protestash kundër korrupsionit dhe skandaleve qeveritare, përpjekjet e Partisë Demokratike dhe të Sali Berishës për zgjerimin e opozitës dhe bashkimin e frontit opozitar në zgjedhjet lokale që na presin, si dhe përpjekjet për garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme”, shkruan Gjekmarkaj.

Gjithashtu, dy politikanët kanë diskutuar për forcimin e bashkëpunimit mes forcave të qendrës së djathtë në Shqipëri dhe Itali, shkëmbimin e përvojave dhe mbështetjen e ndërsjellë në proceset zgjedhore të të dy vendeve.

Në përfundim të takimit, Gjekmarkaj ka ftuar Maurizio Lupin të vizitojë Shqipërinë, ftesë të cilën ky i fundit e ka pranuar. Takimi vjen në kuadër të kontakteve të opozitës shqiptare me përfaqësues të forcave politike europiane të së djathtës.

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb