Prokuroria e Tiranës ka kërkuar dhe siguruar sekuestrimin e pasurive të biznesmenit Ilir Shehu, i dënuar më parë në Itali për trafik droge dhe i hetuar në Shqipëri për kontrabandë ilaçesh. Mes pasurive të sekuestruara janë disa kompani farmaceutike, prona të paluajtshme dhe tetë automjete.
Bëhet fjalë për kompanitë “Medicamenta”, “Mega Store”, “Unipharma” dhe “Italialbania Pharma”, si dhe pasuri të regjistruara në emër të Shehut dhe personave apo subjekteve të lidhura me të.
Procedimi pasuror nr. 23 është regjistruar pas përcjelljes së akteve nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, lidhur me dyshimet se Ilir Shehu dhe personat e lidhur me të zotërojnë pasuri të krijuara nga veprimtaria kriminale në fushën e narkotikëve.
Sipas hetimeve, Shehu ishte identifikuar nga autoritetet italiane si pjesë e një skeme të sofistikuar të kontrabandës së barnave mes Italisë dhe Shqipërisë.
Skema konsistonte në blerjen e ilaçeve në Itali me fatura të rregullta, ku regjistroheshin më shumë se 10 artikuj farmaceutikë. Dokumentacioni i eksportit kalonte doganën italiane me vlerën dhe peshën reale të mallrave. Ndërkohë, në doganën shqiptare lista e produkteve shkurtohej, duke deklaruar vetëm katër ose pesë artikuj, ndërsa pjesa tjetër futej në treg pa dokumentacion të rregullt.
Një pjesë e barnave, sipas hetimeve, legalizoheshin më pas përmes një operatori tjetër, me qëllim fshehjen e origjinës së kontrabandës.
Prokuroria thekson se pasuria e krijuar nga Shehu përfshin edhe dy godina biznesi në Tiranë, të ngritura pas dënimit të tij në Itali për trafik ndërkombëtar droge. Në materialin hetimor përmendet gjithashtu se aksioneri italian i kompanisë Medicamenta është nën akuzë për korrupsion në Itali.
Nga analiza financiare e pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, organi i akuzës ka konstatuar një nivel ekonomik të pajustifikuar, duke dyshuar se pasuritë janë krijuar si rezultat i veprimtarisë kriminale.
Në dosjen pasurore përmenden edhe dënime të mëparshme të Ilir Shehut për veprat penale “Përfitimi i mallrave të vjedhura”, “Pengmarrja” dhe “Shfrytëzimi i prostitucionit”.
Pasuritë e sekuestruara
Në emër të Ilir Shehut janë sekuestruar tetë pasuri të paluajtshme, ndërsa në emër të kompanisë “Mega Store” është sekuestruar një tjetër pasuri.
Lista përfshin gjithashtu tetë automjete, mes tyre një Mercedes-Benz GLE, një Land Rover Defender, një Skoda Kodiaq, një Volkswagen ID.3, një Volkswagen Jetta, një Volkswagen Caddy dhe dy automjete Peugeot.
Masa e sekuestrimit përfshin edhe subjektet “Medicamenta” sh.p.k., “Mega Store” sh.p.k., “Unipharma” sh.p.k. dhe “Italialbania Pharma” sh.p.k., si dhe subjekte të tjera të regjistruara në emër të Ilir Shehut.
Në kuadër të të njëjtit procedim janë sekuestruar edhe gjashtë pasuri të paluajtshme të regjistruara në emër të shtetasit H.Sh., në zonën kadastrale 3640, në Elbasan.
Prokuroria e Tiranës ka argumentuar se pasuritë e evidentuara kanë një nivel ekonomik të pajustifikuar dhe dyshohet se janë përfituar nga veprimtaria kriminale, duke kërkuar vendosjen e tyre nën sekuestro në kuadër të procedimit pasuror.



