
Kombëtarja e Kosovës luan sot një sfidë vendimtare në Dublin, ku do të përballet me Irlandën në ndeshjen e fundit të fazës së grupeve në Ligën e Kombeve. “Dardanët” synojnë të sigurojnë vendin e dytë në grup, që do t’u mundësonte të vazhdonin garën për ngjitjen në Ligën A.
Skuadrës së drejtuar nga Franco Foda i mjafton edhe një barazim për të blinduar pozitën e dytë dhe për të siguruar pjesëmarrjen në fazën e “play-off”-it. Megjithatë, përballë irlandezëve, trajneri gjerman do të duhet të bëjë llogaritë me tri mungesa. Sipas listës së futbollistëve të regjistruar në UEFA, Kosova ka në dispozicion 21 lojtarë.
Veldin Hoxha do të mungojë për shkak të pezullimit, pasi u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen ndaj Izraelit. Ndërkohë, Edon Zhegrova është larguar nga grumbullimi për shkak të një dëmtimi. Jashtë listës është edhe sulmuesi Enis Rexhepi, pasi ende nuk është përfunduar dokumentacioni i nevojshëm për ndryshimin e përfaqësueses në FIFA.
Lista e futbollistëve të Kosovës:
Portierë: Arijanet Muric, Visar Bekaj, Amir Shaipi.
Mbrojtës: Lindrit Kamberi, Kreshnik Hajrizi, Ilir Krasniqi, Ron Raçi, Dion Gallapeni, Mërgim Vojvoda, Bleon Kurtulus.
Mesfushorë: Elvis Rexhbecaj, Milot Rashica, Betim Fazliji, Dion Kaçuri, Lindon Emërllahu, Milot Avdyli, Leon Avdullahu.
Sulmues: Albion Rrahmani, Fisnik Asllani, Baton Zabërgja, Vedat Muriqi.
