Bashkia e Tiranës përkujton 82-vjetorin e Çlirimit të kryeqytetit

17 Nëntor 2026 | 12:57

Bashkia e Tiranës organizoi sot ceremoninë përkujtimore me rastin e 82-vjetorit të Çlirimit të Kryeqytetit, duke nderuar kujtimin dhe sakrificën e dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë e vendit.

Në ceremoninë e zhvilluar me rastin e 17 Nëntorit morën pjesë drejtues të Bashkisë së Tiranës dhe të Qarkut Tiranë, deputetë, përfaqësues të shoqatave të veteranëve, familjarë të dëshmorëve dhe të ftuar të tjerë.

Në fjalën e mbajtur gjatë ceremonisë, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Sadi Vorpsi, vlerësoi sakrificën e të rinjve dhe të rejave që luftuan për çlirimin e Kryeqytetit, si dhe kontributin e çmuar të familjeve tiranase, të cilat mbështetën luftën për liri duke strehuar dhe ndihmuar luftëtarët antifashistë.

“Ndodhemi sot këtu para këtij monumenti, simbol i gjithë djemve dhe vajzave që dhanë jetën për çlirimin e Tiranës, për të kujtuar një ndër ditët më historike të këtij qyteti. 82 vite më parë, në Tiranë agoi një ditë e re, e lirë nga pushtuesi i huaj, falë veprës më sublime që populli mund të bëjë, falë gjakut të mijëra të rinjve dhe sakrificës së qindra familjeve tiranase”, u shpreh Vorpsi.

Nënkryetari i Bashkisë solli në vëmendje edhe rolin e veçantë të qytetarëve të Tiranës gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, duke theksuar se solidariteti, mikpritja dhe guximi i tyre mbeten pjesë e rëndësishme e historisë së qytetit.

“Shtëpitë përdhese të këtij qyteti u bënë foletë e ëndrrave, shpresave, idealeve të lartësuara, planeve dhe strehimit të gjithë atyre njerëzve që i dolën për zot kombit në ato ditë të errëta të historisë. Bujaria e njohur e tiranasve i hapi dyert për të gjithë ata që kaluan në ilegalitet”, theksoi ai.

Duke u ndalur te rëndësia e ruajtjes së kujtesës historike, Vorpsi nënvizoi se nderimi i dëshmorëve dhe përcjellja e vlerave të lirisë te brezat e rinj përbëjnë një përgjegjësi të përbashkët.

“Është detyra jonë, por edhe e të gjithë brezave që do të vijnë, të nderojmë veprën e atyre që zgjodhën të vdisnin në këmbë për një popull, që ky popull të mos ishte i gjunjëzuar”, u shpreh nënkryetari Vorpsi, duke theksuar se idealet e lirisë, patriotizmit dhe integritetit moral duhet të vijojnë të udhëheqin përpjekjet për ndërtimin e një Shqipërie të denjë si anëtare e Bashkimit Europian.

Ceremonia përkujtimore u shoqërua nga interpretimi i Himnit Kombëtar dhe pjesëve muzikore nga Banda Frymore e Bashkisë së Tiranës, duke krijuar një atmosferë solemne në nderim të të rënëve për lirinë e Kryeqytetit.

Aktiviteti është pjesë e veprimtarive të organizuara nga Bashkia e Tiranës në kuadër të 17 Nëntorit, me qëllim përkujtimin e një prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë së qytetit, si dhe ruajtjen e përcjelljen e vlerave historike dhe patriotike te brezat e rinj.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Buxheti 2027 në Parlament, Bardhi: PD do votojë kundër, mban në këmbë modelin ekonomik të korrupsionit

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, deklaroi se opozita do të votojë kundër projektbuxhetit të vitit 2027, i cili pritet të shqyrtohet...
11:28 | 17/11/2026

Rama nderohet me Çmimin CER Lord Jakobovits në Bruksel: Një vlerësim për promovimin e tolerancës ndërfetare

Kryeministri Edi Rama është nderuar me Çmimin CER Lord Jakobovits për kontributin në promovimin e tolerancës dhe dialogut ndërfetar, gjatë qëndrimit të tij në Bruksel....
10:46 | 17/11/2026

Ministri Hoxha nga Brukseli: Bashkëpunim për një të ardhme më të sigurt të popullit ukrainas

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, mori pjesë në Konferencën e Veprimit ndaj Minave në Ukrainë 2026, të zhvilluar në Bruksel, ku...
10:34 | 17/11/2026