
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kritikuar ashpër projektbuxhetin dhe paketën fiskale të qeverisë, duke i cilësuar ato si pjesë të një “buxheti të narkoshtetit”.
Gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të PD-së, Berisha akuzoi qeverinë se ka hartuar paketën fiskale në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën, pa respektuar afatet për konsultimet publike dhe duke e mbajtur procesin në fshehtësi.
Sipas tij, ndryshimet e propozuara cenojnë sigurinë juridike të qytetarëve dhe bizneseve, pasi ndikojnë në kontratat ekzistuese, planet e biznesit dhe parashikimet financiare të kompanive.
Berisha iu referua edhe kundërshtimeve të organizatave të biznesit, duke përmendur Dhomën Amerikane dhe Dhomën Gjermane të Tregtisë, të cilat, sipas tij, kanë shprehur kundërshtime ndaj paketës fiskale.
Ai pretendoi se qeveria ka injoruar interesat e qytetarëve dhe sipërmarrjes dhe se nga ndryshimet përfitojnë vetëm një grup i kufizuar personash.
“Ky buxhet paraqitet në Kuvend në mënyrën më tipike si buxhet i një narkoshteti, si buxheti i hartuar nga një organizatë kriminale, në të cilën shtylla kryesore e të ardhurave bazohet në një paketë fiskale. Paketë fiskale që shkel të gjitha ligjet bazë të këtij vendi, Kushtetutën e Shqipërisë dhe sigurinë juridike që ajo garanton për qytetarët shqiptarë, për bizneset dhe për çdo gjë tjetër në këtë vend”, deklaroi Berisha.
Më tej, ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka vendosur bizneset dhe qytetarët përpara një fakti të kryer, pa zhvilluar konsultimet e parashikuara me ligj.
“Ka pasur injorim total të qytetarëve, të biznesmenëve dhe vendosje të një pakete nga e cila përfiton një grusht njerëzish, ndërsa do të ndëshkohen qytetarët dhe bizneset”, u shpreh kreu i PD-së.