Kërcënimet terroriste dhe ndërprerjet e udhëtimeve në Europë, ambasada amerikane në Prishtinë paralajmëron qytetarët: Kujdes në vendet publike
Autoritetet e Maqedonisë së Veriut njoftuan se kanë zbuluar një rrjet të dyshuar të lidhur me Iranin, i cili po përgatiste vrasjen e një personi në Greqi. Sipas tyre 5 persona janë arrestuar, 4 në Maqedoninë e Veriut dhe 1 në Greqi, ndërsa është në kërkim ende 1 person tjetër.
Megjithëse arrestimi në Greqi është bërë disa ditë më pare , sot është konfirmuar nga Aleksandar Janev,drejtori i Byrosë së Sigurisë Publike në Shkup në një konferencë shtypi, se të dyshuarit janë shtetas të Maqedonisë së Veriut, nga Shkupi dhe Kumanova, të moshave nga 22 deri në 73 vjeç.
Gjatë operacionit janë sekuestruar armë zjarri, municione, skica me vendndodhjen e bazave të shënuara, telefona dhe pajisje të tjera elektronike. Njëri prej të dyshuarve është lënë në arrest shtëpie, ndërsa për të arrestuarit e tjerë është caktuar masa e paraburgimit.
Agjencia e Sigurisë Kombëtare ka deklaruar se hetimet zgjatën rreth nëntë muaj. Sipas saj, anëtarët e grupit kishin lidhje me struktura kriminale dhe po siguronin mbështetjen logjistike për atentatin në territorin grek. Autoritetet sqaruan se nuk kanë informacione për sulme të planifikuara në Maqedoninë e Veriut.
Ndërkohë, sipas raportimeve të mediave greke që citojnë njoftimin e agjencisë, operacioni u zhvillua në bashkëpunim me Shërbimin Kombëtar të Inteligjencës së Greqisë dhe shërbime partnere të vendeve të tjera. Personi i arrestuar në Greqi u ndalua më 12 nëntor dhe më pas iu dorëzua autoriteteve të Maqedonisë së Veriut përmes ekstradimit.
Sipas të njëjtave burime, të dyshuarit merrnin udhëzime të drejtpërdrejta nga shtetasi iranian Edris Jahangiri Mavaneh, të cilin agjencia e lidh me persona që dyshohet se veprojnë për llogari të shërbimeve iraniane të inteligjencës. Hetuesit thonë se janë zhvilluar takime të fshehta në vende të treta, përfshirë Iranin.
Identiteti i personit që dyshohet se ishte objektivi i atentatit në Greqi nuk është bërë publik. Hetimet vazhdojnë për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rrjet.
Sipas autoriteteve greke por edhe atyre të Maqedonisë së Veriut vlerësohet se kjo çështje është pjesë e një praktike më të gjerë të shërbimeve iraniane të inteligjencës, të cilat dyshohet se përdorin organizata kriminale në vende të tjera për përgatitjen e sulmeve terroritse, duke synuar të fshehin përfshirjen e tyre.
Top Channel