Me 8 vota pro dhe 3 abstenime, Komisioni Parlamentar i Ekonomisë miratoi aktin normativ “Për shpërblimin e dëmit civil të shkaktuar ndaj subjekteve të prekura nga aktet e dhunshme gjatë tubimeve dhe rregullimin e pasojave”. Miratimi u parapri nga debate mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës për kompensimin e dëmeve të shkaktuara gjatë protestave, si dhe përgjegjësinë për dëmtimin e pronës publike.
Gjatë mbledhjes së zhvilluar këtë të martë, deputeti i Partisë Demokratike, Igli Cara, akuzoi qeverinë se po përdor dy standarde për dëmshpërblimet, duke ngritur pyetjen se përse nuk është treguar i njëjti shqetësim për qytetarët e dëmtuar nga përmbytjet apo për protestuesit që, sipas tij, kanë pësuar dëmtime shëndetësore nga ndërhyrjet e policisë.
Nga ana tjetër, deputeti socialist Erjon Braçe kërkoi sqarime se kush do të paguajë për dëmet e shkaktuara në institucionet publike, rrjetin rrugor, ndriçimin dhe shërbimet e tjera gjatë protestave. Ai theksoi se dhuna nuk mund të trajtohet si protestë dhe se personat përgjegjës duhet të përgjigjen për dëmet e shkaktuara.
Debati mes dy deputetëve u shoqërua me replika, ndërsa Cara akuzoi qeverinë se po kërkon të penalizojë dhe të trembë protestuesit. Ai kërkoi që i njëjti standard të zbatohet edhe për dëmet në buxhetin e shtetit, të evidentuara nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, si dhe për dëmet shëndetësore të protestuesve.
Në diskutim ndërhyri edhe kryetarja e komisionit, Milva Ekonomi, e cila theksoi se duhen marrë parasysh edhe dëmtimet e punonjësve të policisë gjatë protestave.
Sipas të dhënave të paraqitura nga përfaqësuesit e Ministrisë së Ekonomisë, deri më 16 nëntor, 125 biznese kanë pretenduar dëme në vlerën totale prej 3.59 milionë eurosh.
Akti normativ mbulon bizneset e vogla me xhiro deri në 14 milionë lekë, të cilat, sipas ministrisë, kanë më pak rezerva financiare për të përballuar dëmet. Mekanizmi parashikon që fillimisht të paguajë sigurimi, ndërsa shteti të mbulojë pjesën e mbetur dhe më pas të kërkojë rikuperimin e shumave nga personat përgjegjës.
Përfaqësuesit e ministrisë sqaruan se financimi pritet të alokohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me mundësi përdorimin e fondit rezervë të buxhetit.
Ndërkohë, për dëmet e shkaktuara në institucionet publike, përfaqësuesit e qeverisë sqaruan se akti normativ është hartuar posaçërisht për bizneset e vogla dhe se çështja e dëmeve në pronën publike duhet të trajtohet nga Avokatura e Shtetit.
Kryetarja e komisionit, Milva Ekonomi, e cilësoi emergjent miratimin e aktit normativ për t’u ardhur në ndihmë bizneseve të dëmtuara.


