Lucas Vázquez, ish-futbollisti i Real Madridit dhe aktualisht pjesë e Bayer Leverkusen, mori në mbrojtje ish-shokun e skuadrës, Vinicius, nga kritikat dhe fishkëllimat e tifozëve madrilenë në “Santiago Bernabeu”.
“Është një situatë e vështirë. Mendoj se Vinicius ndodhet në një moment kur kritikohet për absolutisht gjithçka. Është 26 vjeç, një fenomen fizik dhe për tri javë mund të jetë në formë të shkëlqyer. Prandaj, disa shpjegime më duken si justifikime dhe nuk i besoj”, – deklaroi Vázquez për emisionin “El Larguero”.
Ai theksoi se Vinicius është ndër lojtarët që e ndiejnë më shumë fanellën e Real Madridit: “Ka qenë një nga futbollistët më të rëndësishëm të pesë viteve të fundit. Është e vështirë të ruash gjithmonë të njëjtin nivel, por nuk kam dyshime se do të rikthehet në nivelin e një lojtari referencë në botë”.
Vázquez kritikoi edhe tifozët: “Kohët e fundit është fishkëllyer tepër, jo vetëm Vinicius, por edhe lojtarë të tjerë. Madje, ndaj tij kjo është e padrejtë. Ai përpiqet në çdo ndeshje dhe jep maksimumin. Jam i sigurt se me futboll do ta përmbysë situatën dhe ata që sot e fishkëllejnë, nesër do ta duartrokasin”.
I larguar në vitin 2025 pas 10 sezonesh dhe 23 trofesh me Realin, ai tha se ndihet i vlerësuar për mënyrën si u mbyll aventura madrilene.







