“Bizneset i ndihmon Diella”/ Model i ri i Prokurimeve, Rama: Po bëjmë një projekt ekselence, ulje të kostove dhe eliminim masiv të burokracisë

17/11/2026 13:41

Kryeministri Edi Rama është i pranishëm në prezantimin e modelit të ri Prokurimeve të Përqendruara, tashmë një model i fokusuar te rezultati, më shumë siguri e transparencë, më pak barrë ekonomike dhe eleminim të burokracive për institucionet dhe sipërmarrjen. Mes të tjerash, Rama u shpreh:

“Jemi në një moment kur për herë të parë në buxhetin e vitit të ardhshëm përfshihet edhe sistemi i ri i prokurimit përmes operatorit të blerjeve të përqendruara që tashmë do të shërbejë si mekanizmi në diskutim të digastërëve shtetërore për të kryer prokurimet.

Ky është një aspekt shumë i rëndësishëm në lidhje me strukturën dhe eficencën e prokurimeve, sepse vë në dispozicion një strukturë të specializuar, që edhe po integrohet në sistemin europian të prokurimeve. Nga ana tjetër po merr ekspertizë të plotë nga institucionet ndërkombëtare. Nga na tjetër nuk është e panjohur ambicia që Prokurimi Publik të jetë një model ekselence dhe inovacioni për vetë këtë pjesë të botës ku ne jetojmë.

Një model që do të kombinojë eksperiencën europiane dhe AI në analizën e riskut dhe hartimin e dokumentacionit. Po nisim punën për ndërtimin e sistemit të ri të Prokurimit Publik, që është unik jo vetëm në Shqipëri, por edhe më tej.

Për sipërmarrjen do të ketë shumë më tepër qartësi e shpejtësi, ulje të kostove dhe eliminim masiv të burokracisë. Asnjë biznes nuk do të grumbullojë letra lart e poshtë për të dorëzuar një ofertë, sepse gjithçka që lidhet mbi informacionet për biznesin, kalon nga Diella, me dosje virtuale të çdo biznesi”, u shpreh fillimisht Rama.

Top Channel