
Kryeministri Edi Rama ka prezantuar modelin e ri të Prokurimeve të Përqendruara, një mekanizëm që synon të ndryshojë mënyrën e planifikimit dhe realizimit të tenderëve publikë në Shqipëri. Në qendër të reformës do të jetë ngritja e një platforme të unifikuar elektronike, ku Inteligjenca Artificiale do të përdoret edhe për analizimin e riskut.
Gjatë prezantimit, kreu i qeverisë bëri të ditur se sistemi i ri do të përfshihet për herë të parë në procesin e diskutimit të buxhetit të vitit të ardhshëm, duke u dhënë institucioneve mundësinë të planifikojnë më mirë dhe të realizojnë në kohë procedurat e prokurimit. “Jemi sot këtu në një moment, ku për herë të parë në fazën e diskutimit të buxhetit të vitit të ardhshëm përfshihet edhe sistemi i ri i prokurimit. I cili tanimë do të shërbejë si mekanizmi në dispozicion të dikastereve qendrore, por jo vetëm, për të planifikuar dhe realizuar në kohë prokurimet publike”, deklaroi Rama.
Sipas kryeministrit, ndryshimet nuk synojnë vetëm përmirësimin e procedurave administrative, por edhe përafrimin e sistemit shqiptar me praktikat dhe standardet europiane. “Ky është një transformim kryesor lidhur me eficiencën e prokurimeve publike. Është një strukturë që po integrohet në sistemin europian të prokurimeve dhe po merr ekspertizë të lartë nga institucionet e ngjashme”, u shpreh ai.
Një nga risitë kryesore të projektit është përdorimi i Inteligjencës Artificiale, e cila pritet të lehtësojë aksesin në procedurat e prokurimit dhe të ndihmojë në identifikimin e risqeve. “Sot ne jemi gati që të nisim punën për ngritjen e sistemit të ri elektronik, i cili është një sistem unik jo vetëm në Shqipëri, por shumë më gjerë se kaq, ku inteligjenca artificiale do të flasë gjuhën e çdo grupi interesi që e ka punën e lidhur me aksesin e prokurimeve publike”, theksoi kryeministri.
Rama nënvizoi gjithashtu ambicien që Shqipëria të shkojë përtej përmbushjes së kërkesave të Bashkimit Europian në këtë sektor, duke synuar një model inovativ të prokurimit publik. Sipas kreut të qeverisë, zbatimi i sistemit të ri pritet të sjellë procedura më të shpejta, ulje të kostove, më pak burokraci dhe transparencë më të madhe për institucionet dhe operatorët ekonomikë.
