Dyshohet se po planifikonin sulm terrorist në një shtet tjetër, arrestohen 5 persona në Maqedoninë e Veriut

17 Nëntor 2026 | 13:48

Pesë persona janë arrestuar në një aksion të përbashkët antiterrorist të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Agjencisë së Sigurisë Kombëtare të Maqedonisë së Veriut, të zhvilluar në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë. Sipas autoriteteve, të dyshuarit kishin planifikuar të kryenin një akt terrorist në territorin e një shteti tjetër.

Në hetim janë përfshirë gjithsej gjashtë shtetas të Maqedonisë së Veriut, të moshës nga 29 deri në 73 vjeç, nga Shkupi dhe Kumanova. Autoritetet nuk kanë bërë të ditur përkatësinë e tyre etnike, ndaj nuk ka të dhëna zyrtare nëse bëhet fjalë për shqiptarë apo maqedonas etnikë.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, informacionet për aktivitetet e personave të dyshuar ishin siguruar nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare përmes bashkëpunimit ndërkombëtar. Pas hetimeve dhe veprimeve të koordinuara operative, aksioni u realizua nga njësitë kompetente policore, me mbështetjen e Njësisë Speciale Antiterroriste “Tigrat”.

Me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake, u kryen kontrolle në katër lokacione, ku u arrestuan katër persona. Një tjetër u arrestua në Greqi dhe më pas iu dorëzua autoriteteve të Maqedonisë së Veriut. Ndërkohë, për personin e gjashtë, që dyshohet se ndodhet jashtë vendit, vijojnë kërkimet.

Gjatë kontrolleve u sekuestruan telefona celularë, laptopë, kompjuterë, pajisje USB, fletore me kontakte, një skicë me një lokacion të shënuar, si dhe armë zjarri dhe municion, një pjesë e të cilave pa leje.

Sipas MPB-së, hetimet zbuluan lidhje mes personave të dyshuar, si dhe kontakte me shtetas të huaj, përfshirë individë të lidhur me të ashtuquajturat rrjete “proxy”, pra rrjete ndërmjetëse që përdoren për të vepruar në emër ose në interes të aktorëve të tjerë. Autoritetet bëjnë të ditur se kanë siguruar informacione sipas të cilave të dyshuarit kishin planifikuar një akt terrorist kundër një objektivi në territorin e një shteti tjetër.

Për rastin është njoftuar Prokuroria kompetente, ndërsa ndaj pesë personave janë caktuar masa nga gjyqtari i procedurës paraprake.

MPB-ja thekson se aksioni është rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm me Agjencinë e Sigurisë Kombëtare. Nga fundi i vitit 2024 deri më tani, në koordinim me këtë agjenci, policia ka vepruar në 10 raste ku janë përfshirë gjithsej 22 persona. Gjithashtu, janë trajtuar edhe dy raste të veçanta ndaj dy personave për veprën penale “Pjesëmarrje në ushtri, polici, formacione paraushtarake ose parapolicore të huaja në tentativë”.

Ministria e Punëve të Brendshme dhe Agjencia e Sigurisë Kombëtare bëjnë të ditur se do të vijojnë bashkëpunimin me Prokurorinë dhe partnerët ndërkombëtarë, me qëllim zbulimin dhe parandalimin në kohë të aktiviteteve që mund të rrezikojnë sigurinë kombëtare dhe rajonale.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Rama prezanton modelin e ri të prokurimeve, Diella do të përfshihet në të gjitha hallkat e procesit

Kryeministri Edi Rama ka prezantuar këtë të martë modelin e ri të Prokurimeve të Përqendruara, përmes të cilit synohet reformimi i sistemit të prokurimit publik...
13:59 | 17/11/2026

Gjykata në Britani shpall të pafajshëm pjesëtarin e FSK-së për akuzën e përdhunimit

Ministria e Mbrojtjes njofton opinionin publik se dje, më 16 nëntor 2026, në Gjykatën Crown Court në Norwich, në Mbretëri të Bashkuar, pjesëtari i FSK,...
13:49 | 17/11/2026

Hodhën vezë drejt eskortës së Ramës në Manëz, gjykata liron dy protestuesit

Gjykata e Durrësit ka liruar dy protestuesit, Albi Dema dhe Edison Likaj, të arrestuar pas incidentit me eskortën e kryeministrit Edi Rama në Manëz. Trupi...
13:46 | 17/11/2026