Kosova kryen një stërvitje të lehtë para duelit vendimtar ndaj Irlandës

Kombëtarja e Kosovës ka përmbyllur përgatitjet e fundit në Dublin në prag të ndeshjes së rëndësishme ndaj Irlandës, e cila zhvillohet sot me fillim nga ora 20:45 në kuadër të xhiros së fundit të Grupit B3 të Ligës së Kombeve.
Futbollistët e Kosovës kanë zhvilluar paraditen e sotme një seancë të lehtë stërvitore, me fokus kryesor rikuperimin dhe ruajtjen e freskisë fizike para kësaj përballjeje vendimtare.
Në kampin e Dardanëve mbizotëron motivimi dhe përqendrimi maksimal, pasi synimi është që nga Dublini të kthehen me një rezultat pozitiv.
Përzgjedhësi Franco Foda dhe stafi i tij kanë synuar që lojtarët të jenë në gjendjen më të mirë fizike dhe mentale për këtë sfidë, e cila ka rëndësi të madhe për objektivat e Kosovës në këtë edicion të Ligës së Kombeve.
Dardanët aktualisht renditen në pozitën e dytë të grupit me gjashtë pikë, një më shumë se Irlanda.
Kjo do të thotë se Kosovës i mjafton edhe një barazim në stadiumin “Aviva” për ta ruajtur këtë pozitë dhe për të siguruar pjesëmarrjen në plejofin për inkuadrim në Ligën A.
Kosova do të kërkojë ta përsërisë paraqitjen e mirë nga përballja e parë, e zhvilluar në Prishtinë, ku kishte triumfuar me rezultat 1-0 falë golit të Vedat Muriqit./Telegrafi/











































