Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar një transformim rrënjësor në sistemin e prokurimeve publike, duke deklaruar se bizneset nuk do të detyrohen më të mbledhin dokumente fizike për të garuar në tendera, pasi i gjithë procesi do të kalojë në mënyrë digjitale përmes platformës “Diella”.
“Asnjë biznes nuk do detyrohet më të mbledhë letra lart e poshtë për të patur mundësinë të dorëzojë një ofertë për prokurim publik, gjithcka do kalojë nga Diella. Mbi 40 regjistra publik do të jenë aty për ty hapur me një klik të vetëm dhe për të bërë gjithë punën që sot biznesi e bën duke ndeshur pengesa të ndryshme
Do jetë një revolucion i mirëfilltë, për përllogaritjen e fondeve limite, teknikën e shqyrtimit të ofertave, të gjitha do të jenë nën mbikëqyrjen e Diellës dhe Diella po përgatitet të ofrojë zgjidhje me algoritme inteligjente.
Këtu hyjmë në një fazë të re procesi të modernizimit të prokurimit, që mbështetet në standardet më të larta të transparencës. Është një element i funksionimit të shtetit që tërheq shumë interesa dhe prodhon shumë zhurmë. Kur ngjarje të caktuara bëhen publike dhe procedura të caktuara dalin në dritën e syve të opinionit me cene reputacioni i sistemit lëndohet ndjeshëm.
Në 2012, procedurat pa shpallje paraprake, ishin 31 % e totalit të procedurave, në 2025 ishin vetëm 2.4%. Pra, ky është një standard I ri I vendosur dhe duket e pabesueshme të ndodhë e kundërta që procedurat pa garë për fondet publike të jenë sa 1/3 e procedurave të prokurimit
Sot e kemi përafruar legjislacionin në përputhje me direktivat e BE. Shqipëria gjendet në një shoqëri shumë të lartë sa I përket prokurimit publik, shumë nën mesataren e BE në aspektin pozitiv. Një tjetër element i rëndësishëm që nuk shihet e dëgjohet në zhurmën e avazeve të përsëritura për vendin, 93% e kontratave në Shqipëri fitohen nga SME, pa shtuar edhe një 2 % tjetër ku SME janë pjesëmarrëse si bashkim operatorësh. Në BE, SME fitojnë vetëm 46 % të kontratave, kjo për të thënë se ku shkojnë fondet publike.” u shpreh Rama.


