
Bashkia Elbasan vijon t’i kushtojë një vëmendje të veçantë promovimit të kulturës dhe trashëgimisë folklorike, duke krijuar hapësira ku fëmijët mund të shprehin talentin e tyre dhe të njihen me traditat shqiptare.
Në Qendrën Kulturore të Fëmijëve nisi edicioni i 5-të i festivalit “Fest Folk”, një aktivitet tashmë i kthyer në traditë, që për katër net me radhë bashkon 25 shkolla dhe rreth 600 fëmijë në një festë të këngës, valleve, kostumeve popullore dhe ngjyrave të folklorit shqiptar.
Nata e parë solli emocione dhe energji në skenën e Sallës së Koncerteve, duke dëshmuar se trashëgimia jonë kulturore përcillet më së miri kur bëhet pjesë e edukimit dhe formimit të brezit të ri.
Përmes mbështetjes së aktiviteteve të tilla, Bashkia Elbasan synon të nxisë krijimtarinë artistike që në moshë të hershme, të zbulojë dhe promovojë talentet e reja, si dhe të mbajë gjallë traditat kulturore shqiptare.
Festivali do të vijojë edhe në tri netët e ardhshme, deri në Finalen e Madhe më 20 nëntor, duke e kthyer Elbasanin në një skenë të bukur të traditës, talentit dhe trashëgimisë kulturore.