“Everesti i zhytjes”: Aventurat nënujore në ishullin Kea, ku eksplorohet anija Britannic, motra e Titanikut
Ishulli grek Kea po tërheq vëmendjen e turistëve dhe apasionuesve të zhytjes falë rrënojave të tri anijeve historike, mes tyre edhe Britannic, anija motër e Titanikut, e cila ndodhet rreth 120 metra nën sipërfaqen e detit.
Në thellësitë e detit Egje, pranë ishullit grek Kea, gjendet një prej rrënojave më të njohura detare në botë: Britannic, anija motër e Titanikut, e cila sot konsiderohet një nga destinacionet më sfiduese për zhytësit profesionistë.
E fundosur në nëntor të vitit 1916, pasi goditi një minë gjermane gjatë Luftës së Parë Botërore, Britannic ndodhet në një thellësi prej rreth 120 metrash. Ajo ishte shndërruar në anije-spital për transportimin e të plagosurve britanikë.
Pavarësisht përmirësimeve në projektimin e saj pas tragjedisë së Titanikut, Britannic u fundos brenda vetëm 55 minutash. Rreth 1.300 persona u shpëtuan, ndërsa 30 humbën jetën, kryesisht për shkak të nisjes së parakohshme të varkave të shpëtimit, ndërkohë që helikat e anijes vazhdonin të funksiononin.
“Ndjenja e parë është mahnitja. Përmasat e anijes janë të jashtëzakonshme dhe gjendja e saj është shumë e mirë”, ka deklaruar për Euronews Giannis Tzavelakos, pronar i qendrës së zhytjes Kea Divers.

Ai e përshkruan Britannic si një muze nënujor, duke theksuar se shumë pjesë të anijes kanë mbetur të ruajtura në pozicionin e tyre origjinal.
Rrënojat u zbuluan në vitin 1975 nga eksploruesi i njohur francez Jacques-Yves Cousteau, ndërsa ekipi i tij i eksploroi ato për herë të parë një vit më vonë.

Përveç Britannic, ujërat përreth ishullit Kea fshehin edhe dy anije të tjera historike, Patris dhe Burdigala, të cilat së bashku e kanë kthyer zonën në një destinacion të veçantë për turizmin nënujor.
Zhytja pranë Britannic konsiderohet një sfidë e nivelit të lartë dhe është e përshtatshme vetëm për zhytës me përvojë dhe trajnim të specializuar.
Megjithatë, Kea nuk ofron vetëm aventura nënujore. Ishulli ka rreth 81 kilometra shtigje për ecje, të organizuara në 12 itinerare kryesore, të cilat kalojnë nëpër pyje, fshatra tradicionale dhe zona bregdetare.

Një tjetër atraksion është statuja e njohur e Luanit të Keas, një skulpturë e gdhendur në shkëmb që daton nga shekulli VI para Krishtit.
Kombinimi i historisë detare, natyrës dhe turizmit aktiv po i jep ishullit një identitet të veçantë turistik, duke e bërë atë një destinacion tërheqës për vizitorët që kërkojnë përvoja përtej turizmit tradicional veror.















