Çokollata Kinder Bueno White është tërhequr nga shitja në rrjetin e supermarketeve, për shkak të një problemi në etiketimin e përbërësve, i cili mund të përbëjë rrezik për personat me alergji ndaj grurit.
Sipas mediave italiane, produkti i prekur është paketa njëporcionale prej 43 gramësh, me kodin EAN 80761761.
Arsyeja e tërheqjes është se në listën e përbërësve nuk janë deklaruar siç duhet dy përbërës që lidhen me grurin, mielli i grurit dhe niseshteja e grurit.
Kjo mangësi në etiketim mund të krijojë rrezik për konsumatorët që janë alergjikë ndaj proteinave të grurit ose që vuajnë nga sëmundja celiake, pasi nuk informohen saktë për përbërjen e produktit.
Sipas njoftimit të publikuar nga rrjeti NORMAL, personat që e kanë blerë këtë produkt këshillohen të mos e konsumojnë nëse kanë alergji ndaj grurit ose sëmundje celiake, por ta kthejnë në dyqanin ku e kanë blerë, ku do t’u rimbursohet vlera.













