Këngëtarja britanike RAYE është emri më i përfolur i momentit në industrinë ndërkombëtare të muzikës, pasi ka kryesuar listën e nominimeve për çmimet Grammy 2027 me plot 11 kandidatura.

Artistja 29-vjeçare ka siguruar nominime në kategoritë kryesore të ceremonisë, përfshirë këngën e vitit, incizimin e vitit dhe albumin e vitit. Ky është gjithashtu viti i parë që ajo garon në të tria këto kategori prestigjioze.

Me këtë rezultat, RAYE ka barazuar rekordin e Beyoncé, e cila në vitin 2025 kishte siguruar 11 nominime në një edicion të vetëm të Grammy-ve, duke vendosur një rekord për një artiste femër.

Një ndër këngët që i ka siguruar suksesin është “Where Is My Husband!”, e nominuar për këngën dhe incizimin e vitit, ndërsa albumi i saj “This Music May Contain Hope” është në garë për albumin më të mirë të vitit.

Pas RAYE renditet këngëtarja spanjolle Rosalía me nëntë nominime, ndërsa Olivia Rodrigo, Phoebe Bridgers, Miranda Lambert dhe artistja Ella Langley kanë siguruar nga shtatë kandidatura.

Edhe Taylor Swift është në mesin e emrave të nominuar, me pesë kandidatura, përfshirë kategorinë e albumit të vitit me “The Life of a Showgirl”.

Ceremonia e 69-të e çmimeve Grammy do të mbahet më 7 shkurt 2027 në Los Angeles, ku artistët do të garojnë për një nga vlerësimet më të rëndësishme të industrisë muzikore botërore.

Për RAYE, këto nominime shënojnë një tjetër moment të rëndësishëm në karrierë, duke e vendosur atë përkrah emrave më të mëdhenj të muzikës ndërkombëtare.