Drafti, siguruesit do të mbajnë kapital sipas rrezikut, gjobat deri në 10 milionë lekë

Tri nga 12 shoqëritë e sigurimit të testuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) nuk do të kishin kapital të mjaftueshëm nëse rregullat e Bashkimit Europian do të zbatoheshin plotësisht. Relacioni që shoqëron projektligjin e Ministrisë së Financave “Për veprimtarinë e sigurimit dhe risigurimit” sjell në vëmendje një simulim të mbështetur në pasqyrat financiare të vitit 2024, ku këto tri shoqëri mbulonin përkatësisht rreth 48%, 60% dhe 81% të kapitalit të kërkuar. Nëntë shoqëritë e tjera e përmbushnin kërkesën.
Projektligji që Ministria e Financave ka nxjerrë për konsultim ndryshon mënyrën e llogaritjes së kapitalit që duhet të mbajnë siguruesit dhe rrit nga 3 milionë në 10 milionë lekë gjobën maksimale për shkeljet kryesore. Drafti zëvendëson ligjin nr. 52/2014 dhe përafron rregullat shqiptare me standardet e BE-së për aftësinë paguese, të njohura si Solvency II, dhe për shitjen e policave.
Sot, siguruesit duhet të mbajnë kapital të paktën sa vlera më e lartë midis fondit të garancisë dhe 150% të kufirit minimal të aftësisë paguese. Ky kufi, sipas relacionit, “llogaritet mbi bazën e primeve dhe dëmeve”. Fondi i garancisë nis nga 260 milionë lekë për siguruesit e jojetës dhe nga 370 milionë lekë për siguruesit e jetës, risiguruesit dhe shoqëritë që mbulojnë disa kategori rreziku, përfshirë përgjegjësinë ndaj palëve të treta nga përdorimi i automjeteve.
Drafti parashikon dy kërkesa të veçanta: një minimum kapitali dhe një kërkesë për kapital që merr parasysh edhe rreziqet nga investimet, kreditë, katastrofat dhe funksionimi i kompanisë. Sipas nenit 171, minimumi është niveli nën të cilin vazhdimi i veprimtarisë së shoqërisë do t’i ekspozonte mbajtësit e policave dhe përfituesit ndaj “një niveli të papranueshëm rreziku”. Pragu absolut do do jete 2.7 milionë euro për siguruesit e jojetës dhe 4 milionë euro për siguruesit e jetës dhe ata të jojetës që mbulojnë kategoritë e përcaktuara në draft, përfshirë përgjegjësinë motorike.
Në vitin 2024, katër grupe përfshinin 10 nga 13 shoqëritë e licencuara dhe zinin rreth 87% të primeve të shkruara bruto. Me projektligjin, AMF-ja do të mbikëqyrë kapitalin, përqendrimin e rreziqeve dhe transaksionet në nivel grupi, përtej mbikëqyrjes së kufizuar që parashikon ligji aktual. Siguruesit duhet të publikojnë edhe një raport për aftësinë paguese dhe gjendjen financiare, detyrim që sot nuk ekziston.
Para lidhjes së kontratës, shitësi do të duhet të përcaktojë nevojat e klientit dhe për sigurimet e jojetës, t’i japë një dokument standard me informacion për produktin. Drafti shton kërkesa për transparencën mbi mënyrën si shpërblehet shitësi dhe rregulla të posaçme për policat me komponent investimi. Dispozitat për pjesëmarrjen në tregun e brendshëm europian do të zbatohen nga data e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.









