Afro 400 emra të njohur të industrisë britanike të argëtimit janë bashkuar në një letër të hapur, përmes së cilës kërkojnë ndryshime konkrete në mënyrën se si trajtohen rastet e abuzimit dhe ngacmimit në botën e filmit dhe televizionit.
Mes firmëtarëve janë aktorja Natalie Dormer, e njohur për rolin në serialin “Game of Thrones”, Richard Armitage, pjesë e filmit “The Hobbit”, si dhe aktorët Les Dennis dhe Susan Wokoma.
Letra u publikua më 16 nëntor dhe vjen pas dënimit të komedianit Russell Brand, i cili u shpall fajtor për përdhunim dhe tre raste sulmi seksual. Ai u dënua me 10 vjet e gjashtë muaj burg.
Nisma lidhet gjithashtu me akuzat e publikuara së fundmi ndaj aktorit dhe komedianit David Walliams, pas një investigimi të “The Guardian” dhe ITV News. Walliams i ka mohuar akuzat dhe nuk është dënuar për to.
Në letrën e hapur, firmëtarët argumentojnë se fama dhe pozita e personave të fuqishëm në industri nuk duhet të shërbejnë si mburojë për sjellje abuzive. Ata kërkojnë që kompanitë televizive, studiot e filmave, sindikatat dhe organizatat e tjera të rishikojnë mënyrën se si trajtojnë ankesat dhe të mbrojnë personat që vendosin të flasin.
Nënshkruesit kërkojnë gjithashtu që qeveria të rrisë mbështetjen për viktimat, të sigurojë burime të mjaftueshme për policinë dhe të kërkojë përgjegjësi nga ata që kanë dijeni për abuzimet, por zgjedhin të heshtin.
Letra është hartuar nga shkrimtari dhe aktori Ben Fletcher, në bashkëpunim me Alexa Morden. Mesazhi i tyre është se dënimi i një personi të vetëm nuk mjafton për të ndryshuar industrinë, nëse institucionet vazhdojnë të mos reagojnë ndaj rasteve të raportuara. /The Indipendent/










