
Këtë të martë Gjykata e Durrësit ka liruar Albi Demën dhe Edison Likajn, dy protestuesit e arrestuar pas incidentit me eskortën e kryeministrit Edi Rama, ndaj së cilës u hodhën vezë dhe sende të forta të shtunën, në Maminas.
Gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë, gjykata e vlerësoi të paligjshëm arrestimin e tyre në flagrancë dhe rrëzoi kërkesën e Prokurorisë për vendosjen e masave të sigurisë.
Dema, 37 vjeç, dhe Likaj, 28 vjeç, të njohur si aktivistë të grupit të “Flamingove”, u arrestuan pasi disa protestues i dolën përpara eskortës së kryeministrit në Maminas, teksa Rama po udhëtonte drejt Gjirit të Lalzit për të marrë pjesë në Asamblenë e Partisë Socialiste.
Ata u proceduan për veprën penale të goditjes për shkak të detyrës. Gjatë zhvillimit të seancës, familjarë dhe të afërm të dy protestuesve ishin mbledhur pranë Gjykatës së Durrësit, në pritje të vendimit.