
Një ekspert i mjekësisë ligjore ka dalë në përfundimin se financieri amerikan Jeffrey Epstein mund të jetë vrarë në qelinë e tij në vitin 2019, duke kundërshtuar versionin zyrtar se ai i dha fund jetës me vetëvarje. Megjithatë, Zyra e Ekzaminuesit Mjekësor të Nju Jorkut ka deklaruar se i qëndron përfundimit fillestar se vdekja ishte vetëvrasje.
Michael Freeman, studiues dhe konsulent në fushën e epidemiologjisë mjeko-ligjore, prezantoi të hënën në Londër rezultatet e një hetimi të kryer së bashku me patologun mjeko-ligjor Anders Eriksson, profesor në Universitetin Umea në Suedi, dhe neuroshkencëtarin Itiel Dror.
Pas shqyrtimit të plotë të dosjes së autopsisë dhe rindërtimit të ngjarjes përmes fotografive të ekzaminimit, ekspertët pretendojnë se dëmtimet në trupin e Epstein janë më të përputhshme me një sulm fizik dhe përleshje sesa me vetëvarjen.
Sipas prezantimit të tyre, nuk ka prova që të ketë ndodhur një vetëvarje. Ata argumentojnë gjithashtu se shenjat në qafë përputhen më shumë me një mbytje kriminale nga pas, me shumë gjasë përmes një cope të ngushtë pëlhure të lidhur nyjë.