Sipas njoftimit të Prokurorisë, të pandehurit R.B., A.R. dhe B.(Sh) B. ndodhen në paraburgim që nga 23 marsi 2026, nën dyshimin se në bashkëkryerje dhe si anëtarë të një grupi janë marrë me shitjen dhe shpërndarjen e sasive të mëdha të heroinës në fshatin Gjinoc të Suharekës.

Sipas aktakuzës, tre të pandehurit kishin komunikuar dhe koordinuar vazhdimisht veprimet për sigurimin e personave me qëllim të shitblerjes së narkotikëve.

Më 23 mars 2026, gjatë realizimit të një shitjeje të narkotikëve, policia kishte ndaluar një automjet në të cilin ishin fshehur dy paketime me heroinë, me peshë fillestare prej 1,017.25 gramësh.

Ndërkaq, gjatë kontrollit në shtëpinë e të pandehurit R.B. ishte gjetur dhe sekuestruar edhe një sasi tjetër heroine, me peshë fillestare prej 806 gramësh.

Sipas ekspertizës së Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, dy sasitë përmbanin heroinë të përzier me substanca të tjera, me peshë neto të përgjithshme prej 1,780.13 gramësh.

Gjatë kontrollit në shtëpinë e të pandehurit B.(Sh) B. ishte gjetur edhe kanabis, me peshë neto prej 12.69 gramësh.

Përveç veprave penale që lidhen me narkotikët, R.B. dhe B.(Sh) B. akuzohen edhe për mbajtje të paautorizuar të armëve. Gjatë kontrolleve në pronat e tyre janë sekuestruar pesë armë zjarri, përfshirë pistoleta, pushkë gjuetie dhe një armë automatike, si dhe 549 fishekë të kalibrave të ndryshëm.

Prokurori i çështjes i ka propozuar gjykatës që, pas shqyrtimit gjyqësor dhe vlerësimit të provave, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

Po ashtu, është kërkuar konfiskimi i përhershëm i sendeve dhe pasurisë që dyshohet se janë përdorur për kryerjen e veprave penale ose janë përfituar prej tyre.

Në mesin e pasurisë për të cilën është kërkuar konfiskimi janë dy automjete, një Land Rover dhe një Mercedes GLE, telefona mobilë, pajisje elektronike, para të gatshme, narkotikët, armët dhe municioni i sekuestruar.

Prokuroria ka propozuar që automjetet të shiten përmes Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe të Konfiskuar, ndërsa të hyrat të derdhen në buxhetin e Kosovës. Për narkotikët, armët, municionin dhe pajisjet e tjera është kërkuar konfiskimi dhe shkatërrimi sipas procedurave ligjore.