Vendosni fjalën kyçe....

Rama prezanton personazhin e ri virtual “Gjoni”, do të merret me prokurimet publike


Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar zgjerimin e përdorimit të inteligjencës artificiale në administratën publike, duke bërë të ditur se pas ministres virtuale Diella, qeverisë pritet t’i bashkohet së shpejti edhe një tjetër personazh virtual, i quajtur “Gjoni”.

Gjatë prezantimit të modelit të ri të Prokurimeve të Përqendruara, Rama tha se Gjoni do të angazhohet në trajtimin e një sërë çështjesh që lidhen me proceset e prokurimit publik.

Sipas kryeministrit, synimi është rritja e transparencës dhe mundësia për të kontrolluar në mënyrë të detajuar çdo fazë të procesit, duke u dhënë akses edhe subjekteve që pretendojnë se janë dëmtuar nga procedurat.

“Pas Diellës, Gjoni do të shfaqet së shpejti në këtë fushë dhe do të merret me një sërë çështjesh të prokurimeve. Kur Diella me Gjonin do të jenë shumë më tepër në zotërim të procesit, shpresoj se do të ketë bindje se ka fitues të drejtë dhe humbës me meritë, pasi të kalojë edhe një fazë kur humbësit të duan t’i shikojnë me sytë e vetë dhe t’i kontrollojnë një më një të gjitha fletët e procesit, sepse procesi gjithsesi do të jetë i kontrollueshëm manualisht.

Pra, ndryshe nga sa u tha në fillim, kur ne e hodhëm këtë ide dhe arriti deri aty sa edhe New York Times të hapte debat për Diellën, nuk do të ketë një proces të mbyllur në ekranin e Diellës, por do të jetë një proces ku çdokush që do të ketë pretendime do të mund ta ndjekë atë edhe manualisht”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi kështu se përdorimi i personazheve virtualë në administratë nuk do të përjashtojë mundësinë e kontrollit njerëzor dhe verifikimit manual të procedurave të prokurimit.