Avokati i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, Plarent Ndreca, ka bërë të tjera deklarata lidhur me takimin e ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu, me klientin e tij në qeli, si dhe për raportet me kryeministrin Edi Rama.

I ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, Ndreca përsëriti pretendimet se gjatë takimit në burg, ministri Gogu i ka bërë presion Veliajt për mandatin e kryebashkiakut, ndryshimin e avokatit dhe çështje që lidhen me procesin penal ndaj tij. Ai kërkoi një hetim institucional për të zbardhur rrethanat e vizitës, duke theksuar se Veliaj ka dokumentuar me shkrim atë që është diskutuar.

Ndërkohë, avokati foli edhe për pakënaqësinë e pretenduar të Ramës ndaj qëndrimit të tij si këshilltar ligjor i Veliajt. Sipas Ndrecës, kryeministri ka shprehur pakënaqësi pasi e konsideron atë si personin që nxit kryebashkiakun të shkëputet politikisht prej tij.

“Ajo që di unë është pakënaqësia e Ramës për qëndrimin tim, ku sipas tij unë e nxis Veliajn që të pavarësohet nga Rama. E para, nuk kam pse jap shpjegime për atë që diskutoj me klientin tim. Kjo është e pavarur nga bindjet e mia politike apo pozicioni im politik dhe nuk ka asnjë arsye, pavarësisht nëse e kam bërë apo nuk e kam bërë. Të vërtetën e dimë unë, klienti im dhe kolegët e mi britanikë dhe amerikanë”, u shpreh Ndreca.

Ai shtoi se nuk ka dijeni për synime të tjera të kryeministrit, përveç pretendimit se Rama ka dashur ta largojë nga roli i këshilltarit ligjor të Veliajt.

“Synimet e zotit Rama për të më larguar mua si këshilltar ligjor i Veliajt, përveç kësaj që më është thënë, nuk di tjetër. Por nuk është e vërtetë, sepse Veliaj ka gjithë kapacitetin të marrë vendime vetë dhe të mos pyesë askënd. Ai merr vendimet dhe është i qartë për atë që bën”, deklaroi avokati.

Ndreca theksoi se komunikimi me klientin e tij është pjesë e marrëdhënies profesionale mes avokatit dhe të mbrojturit, duke kundërshtuar çdo pretendim se ai ndikon në vendimmarrjen politike të kryebashkiakut.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb