Gjykata e Posaçme ka vendosur që seanca gjyqësore në themel ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, të vijojë pa praninë e tij fizike.
Veliaj ka kërkuar të jetë i pranishëm në seancë, por përmes një letre drejtuar gjykatës ka pretenduar se gjendja e tij shëndetësore, për të cilën i është rekomanduar ndërhyrje kirurgjikale, nuk e lejon të marrë pjesë në gjykim pa u pajisur më parë me dokumentacionin mjekësor.
“Për shkak të gjendjes shëndetësore për të cilën më është rekomanduar ndërhyrje kirurgjikale, kam 10 ditë që kërkoj dokumentacionin mjekësor, por s’më është dhënë asnjë shpjegim. Kjo situatë më pengon të marr pjesë në gjykim dhe kërkoj që seanca gjyqësore të shtyhet”, mësohet të ketë shkruar Veliaj.
Nga ana tjetër, prokurori Altin Dumani deklaroi se SPAK nuk disponon asnjë relacion mjekësor që të përshkruajë gjendjen shëndetësore të kryebashkiakut.
“Ne nuk kemi asnjë relacion mjekësor nga mjeku i burgut që të na përshkruajë gjendjen shëndetësore të Veliajt. Nuk kemi asnjë dokument konkret mbi gjendjen e tij që të ishim të qartë”, u shpreh Dumani.
Avokati i Veliajt, Plarent Ndreca, kundërshtoi këtë qëndrim, duke deklaruar se prokuroria është informuar për problemet shëndetësore të klientit të tij. Sipas tij, Veliaj ka kërkuar kartelën mjekësore, grafitë dhe dokumentacionin për gjendjen e këmbës, në mënyrë që t’i konsultojë me mjekët e tij.
Ndreca tha se në institucionin e vuajtjes së dënimit janë kryer ekzaminime mjekësore, përfshirë rezonancën dhe grafitë, dhe se Veliajt i është komunikuar nevoja për ndërhyrje kirurgjikale. Ai theksoi se mungesa e dokumentacionit mjekësor po pengon ushtrimin e së drejtës së tij për të marrë pjesë në proces.
Ndërkohë, prokurori i SPAK, Ols Dado, deklaroi se sipas informacionit që disponon prokuroria, gjendja shëndetësore e Veliajt nuk është emergjente dhe nuk përbën shkak për shtyrjen e seancës.
“Në dijeni të SPAK, i pandehuri nuk ka pasur gjendje emergjente shëndetësore. Thuhet që ka nevojë për ndërhyrje. Në dijeninë time, e di që ka pasur komunikime me email nga mbrojtja e Veliajt. Drejtoria e Burgjeve ka arsyet e saj dhe po e ndjek në mënyrë strikte rregulloren. Gjendja nuk është emergjente”, deklaroi Dado.
Gjatë seancës, Ndreca ngriti gjithashtu çështjen e pretendimeve të Veliajt për kërcënime gjatë takimit në burg me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, duke kërkuar nisjen e verifikimeve institucionale.
Avokati deklaroi se kryeministri Edi Rama ka detyrimin kushtetues të kërkojë hetimin e rrethanave të këtij takimi dhe të mos mbajë qëndrim pa u verifikuar më parë pretendimet e bëra publike nga kryebashkiaku.
“Veliaj ka bërë pretendimet e tij publike, kryeministri ka detyrimin kushtetues për të bërë hetimin mbi këtë situatë. Nuk duhet mbajtur anë pa u bërë hetimi. Janë institucionet kushtetuese që kanë detyrimin të verifikojnë si është situata, mënyra si është hyrë, si është takuar dhe çfarë është thënë”, deklaroi Ndreca.
Ai shtoi se mbrojtja disponon informacion të plotë mbi mënyrën dhe arsyet e zhvillimit të takimit mes Veliajt dhe Gogut, por se provat duhet të mblidhen nga prokuroria.
“Informacionin e kemi të plotë, çfarë ka ndodhur, si ka ndodhur dhe pse është bërë. Këto informacione ne i kemi, por duhet t’i mbledhë prokuroria. Unë kam transmetuar çfarë klienti im ka thënë dhe nëse kryeministri është i shqetësuar për të vërtetën duhet të kishte filluar hetimin për ministrin e tij”, u shpreh avokati.
Ndreca kritikoi gjithashtu mungesën e përgjigjes ndaj kërkesës për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar, duke theksuar se mbrojtja kërkon verifikimin e dokumentacionit sekret, ballafaqimin publik dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të takimit.a.b





