Milan Radoiçiç nuk paraqitet në polici, Gjykata e Beogradit lëshon urdhër-arrest për ish-nënkryetarin e Listës Serbe

17/11/2026 15:32

Milan Radoiçiç, i akuzuar për organizimin e sulmit të armatosur në Banjskë të Kosovës në shtator të vitit 2023, është shpallur në kërkim pasi nuk është paraqitur në stacionin policor në Beograd, ku ishte i detyruar të raportonte dy herë në muaj.

Gjykata e Lartë në Beograd ka urdhëruar paraburgimin e tij dhe ka lëshuar një urdhër-arrest. Radoiçiç nuk është paraqitur të dielën, më 15 nëntor, në stacionin policor “Savski Venac”, ku duhej të konfirmonte se ndodhej në vendbanimin e tij, në përputhje me masën e sigurisë të vendosur nga gjykata.

BIRN shkruan se ish-nënkryetari i Listës Serbe kishte detyrimin të paraqitej në polici në datat 1 dhe 15 të çdo muaji. Para kësaj mungese, ai ishte paraqitur rregullisht, ndërsa herën e fundit ishte raportuar më 1 nëntor.

Pasaporta e Radoiçiçit ndodhet në Gjykatën e Lartë në Beograd, e cila kishte vendosur ndaj tij masën e paraqitjes periodike në polici, në kuadër të procedimit penal për ngjarjet në Banjskë.

BIRN raporton se gjykata ka urdhëruar paraburgimin dhe ka lëshuar urdhër-arrestin, pasi ai nuk ka respektuar detyrimin e paraqitjes.

Ndërkohë, ish-inspektori i pavarur i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA), Milan Zvezdanović, deklaroi më 13 nëntor për televizionin N1 se kishte marrë informacione jozyrtare se Radoiçiç ishte larguar nga Serbia dhe kishte shkuar në Moskë. Ky informacion nuk është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet.

Sipas Kodit të Procedurës Penale të Serbisë, kur një i pandehur nuk respekton detyrimin e paraqitjes periodike, policia duhet të njoftojë gjykatën. Në rast se konstatohet se personi është larguar ose po fshihet, gjykata mund të vendosë paraburgimin dhe të lëshojë urdhër-arrest.

Për shpalljen e një kërkimi ndërkombëtar përmes Interpolit nevojitet një procedurë shtesë, përmes Zyrës Kombëtare të Interpolit në Serbi.

Radoiçiç akuzohet për përfshirje në sulmin e armatosur të 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë, në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe tre pjesëtarë të grupit të armatosur serb.

 

Top Channel