Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur përgatitjet për zgjedhjet vendore të vitit 2027, duke kërkuar bashkëpunim të drejtpërdrejtë me institucionet ligjzbatuese për parandalimin dhe goditjen e krimeve zgjedhore.

KQZ u është drejtuar zyrtarisht Prokurorisë së Posaçme (SPAK), Prokurorisë së Përgjithshme dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, duke u kërkuar caktimin e personave të kontaktit për koordinimin ndërinstitucional gjatë procesit zgjedhor.

Në shkresën drejtuar kreut të SPAK, Klodian Braho, KQZ sqaron se kjo nismë vjen në zbatim të rekomandimit numër 11 të rezolutës së Kuvendit për vlerësimin e veprimtarisë së institucionit zgjedhor për vitin 2025 dhe rekomandimet për vitin 2026.

“Caktimi i tyre synon komunikimin e drejtpërdrejtë, shkëmbimin e shpejtë të informacionit me qëllim hartimin e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërinstitucional për parandalimin, evidentimin dhe trajtimin e veprave penale që lidhen me procesin zgjedhor”, thuhet në shkresën e KQZ-së.

Tre institucioneve u është lënë afat deri më 23 nëntor 2026 për të përcaktuar personat përgjegjës që do të koordinojnë komunikimin me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Nga ana e KQZ-së, si person përgjegjës për këtë proces është caktuar Sekretari i Përgjithshëm, Edmond Ahmeti.

Nisma synon të formalizojë bashkëpunimin mes institucioneve përpara zgjedhjeve vendore të vitit 2027, me fokus shkëmbimin e informacionit dhe trajtimin e rasteve të dyshuara të kriminalitetit zgjedhor.