Leipzigu ka vendosur të sigurojë përfundimisht shërbimet e Brajan Grudës, duke aktivizuar në vitin 2027 detyrimin e blerjes prej 30 milionë eurosh. Sulmuesi 22-vjeçar është aktualisht i huazuar nga Brightoni, por paraqitjet e tij kanë bindur drejtuesit e klubit gjerman për ta mbajtur për një kohë të gjatë.
Sipas raportimit të “Sky”, marrëveshja mes palëve përfshin një detyrim blerjeje, ku përfshihen edhe bonuse të lidhura me performancën, duke e çuar vlerën totale të transferimit në 30 milionë euro. Gruda ka rënë dakord gjithashtu për një kontratë me Leipzigun deri në vitin 2031.
Interes për futbollistin ka shfaqur edhe Bayerni, i cili e ka përfshirë atë në listën e objektivave për merkaton. Megjithatë, kampionët rekord të Gjermanisë nuk kanë ndërmarrë hapa konkretë për transferimin e tij.
Një nga pengesat kryesore për bavarezët është prania e Michael Olise në krahun e djathtë të sulmit. Francezi konsiderohet një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës dhe Bayerni nuk ka ndërmend të ndryshojë planet për të në të ardhmen e afërt.
Gruda ka treguar një formë shumë të mirë që prej transferimit në Gjermani në shkurt të vitit 2026. Në 13 ndeshjet e para në Bundesligë regjistroi tre gola dhe tri asistime, ndërsa në sezonin 2026-2027 ka dhënë katër asistime në shtatë takimet e para të kampionatit. Në Champions League ka kontribuar me një gol dhe një asistim në katër paraqitje, ndërsa ka shënuar edhe një herë në dy ndeshje të Kupës së Gjermanisë.
Rritja e tij është konfirmuar edhe me kombëtaren gjermane. Gruda shënoi që në debutimin e tij në fitoren 3-1 ndaj Serbisë, ndërsa më 16 nëntor realizoi sërish në triumfin e thellë 5-0 kundër Holandës, duke regjistruar dy gola në dy ndeshjet e para me përfaqësuesen.
Një tjetër avantazh për Leipzigun është fakti se kontrata e re e Grudës nuk përmban klauzolë largimi. Kjo do të thotë se çdo klub i interesuar, përfshirë Bayernin, do të duhet të negociojë drejtpërdrejt me Leipzigun për një transferim të mundshëm.
Për momentin, drejtuesit e Leipzigut synojnë ta ndërtojnë të ardhmen e skuadrës rreth talentit gjerman, ndërsa Bayern duhet të presë për të parë nëse do të krijohen kushte për të hyrë në garë.
© SYRI.net
Kupa e Shqipërisë, Laçi triumfon bindshëm ndaj Shirokës, Skënderbeu siguron kualifikimin pas 120 minutash
Tragjedi në Argjentinë, futbollisti 17-vjeçar humb jetën pas goditjes së topit në kokë gjatë ndeshjes
Zgjedhjet për kreun e FIFA-s, kush janë rivalët e Infantino-s? Diallo, Vega dhe Tashima sfidojnë presidentin aktualBëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti: