Një 64-vjeçar shqiptar ka humbur jetën tragjikisht mëngjesin e kësaj të marte në Itali, pasi u përplas nga një automjet teksa po punonte në një kantier ndërtimi në autostradën A18 Messina-Catania.
Viktima është identifikuar si Hashim Mehmeti, ndërsa ngjarja e rëndë ndodhi pak pas orës 09:00, pranë daljes së Giardini Naxos, në zonën e Taorminës.
Sipas mediave italiane, shqiptari ishte duke punuar në një segment të autostradës të kufizuar për shkak të punimeve, në zonën e viaduktit Alcantara, në drejtim të Katanias, kur një automjet i drejtuar nga një grua hyri në zonën e kantierit dhe e përplasi fuqishëm.
Pavarësisht ndërhyrjes, 64-vjeçari nuk arriti t'u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë në vendngjarje.
Nga hetimet paraprake dyshohet se drejtuesja e automjetit mund të ketë humbur kontrollin në përpjekje për të shmangur një manovër të rrezikshme të kryer nga një tjetër automjet. Kjo pistë mbetet ende për t'u verifikuar nga hetuesit.
Pas përplasjes, gruaja ndaloi menjëherë për t'i ardhur në ndihmë punëtorit, por pak më vonë pësoi një gjendje të fikëti për shkak të tronditjes dhe mori ndihmën e personelit mjekësor të urgjencës 118.
Policia Rrugore italiane po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e aksidentit tragjik.