Klestor Veseli, djali i ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka reaguar pas vendimit të fundit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, duke kërkuar reagim nga institucionet e Kosovës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Klestor Veseli ka shprehur pakënaqësinë e tij lidhur me vendimin e gjykatës, duke e cilësuar atë si instrumentalizim të drejtësisë kundër një figure historike dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Një pështyrje në fytyrë ndaj sundimit të ligjit. Një instrumentalizim dhe përdorim i drejtësisë si armë për diskreditimin e një figure historike dhe UÇK-së që ai përfaqëson”, ka shkruar Veseli.

Ai ka theksuar se institucionet e Kosovës duhet të ndërmarrin hapa dhe të kërkojnë vëmendjen e institucioneve ndërkombëtare për zhvillimet në Hagë.

“Është urgjente që shteti t’i inkurajojë institucionet ndërkombëtare të kthejnë sytë në atë që po ndodh në Hagë dhe kjo përdhosje që po i bëhet të vërtetës dhe të drejtës nga ajo gjykatë, të dënohet”, ka deklaruar ai.

Reagimi i Klestor Veselit vjen pasi Gjykata Speciale në Hagë e dënoi Hashim Thaçin me 17 muaj burgim në rastin që lidhet me pengimin e administrimit të drejtësisë.

Vendimi ndaj ish-presidentit ka nxitur reagime të shumta në Kosovë, ndërsa çështja e proceseve gjyqësore në Hagë vazhdon të jetë në qendër të debatit publik dhe institucional.