Bordi i Transparencës ka vendosur çmime të reja për karburantet në Shqipëri. Nafta do të tregtohet me 3 lekë më pak për litër, ndërsa benzina me 1 lek më pak, sipas vendimit të marrë këtë të martë, më 17 nëntor 2026.
Çmimi i shitjes me pakicë për naftën është përcaktuar në jo më shumë se 207 lekë për litër, nga 210 lekë që ishte më parë. Ndërsa çmimi i shitjes me shumicë nuk duhet të kalojë 195 lekë për litër.
Për benzinën, kufiri i ri i shitjes me pakicë është 164 lekë për litër, ndërsa ai me shumicë 152 lekë për litër.
Bordi ka përcaktuar gjithashtu çmimin e gazit për automjetet në 70 lekë për litër në shitjen me pakicë dhe 58 lekë për litër në shitjen me shumicë. Ndërsa nafta për aktivitetin e peshkimit do të tregtohet me 112 lekë për litër.
Çmimet e reja hyjnë në fuqi sot, në orën 17:30, dhe do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit të Transparencës, kur do të shqyrtohen ndryshimet e mundshme në treg.
Në njoftimin zyrtar, Bordi u ka tërhequr vëmendjen operatorëve të tregtimit me shumicë dhe pakicë për detyrimin që të zbatojnë çmimet e përcaktuara. Për shkeljet e konstatuara parashikohet pezullimi i aktivitetit.
Vendimi është marrë në kuadër të situatës së veçantë të shpallur në tregun e hidrokarbureve, ndërsa Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë deklarojnë se janë angazhuar për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg.


