Elton Qyno - Syri.net
Përmes një hetimi të nisur në muajt e parë të vitit 2026, prokuroria e Tiranës, ka vendosur të sekuestrojë disa nga pronat e Ilir Shehut, ortakut në biznes të ish-deputetit të Partisë Socialiste, Artan Gaçi.
Gjatë një hetimi të zhvilluar në Itali, ka rezultuar se biznesmeni Ilir Shehu alias Pasholli, ishte i përfshirë në tregtinë e drogës, shfrytëzimin e prostitucionit dhe mashtrimit financiar.
Por kjo CV e pasur kriminale, nuk e ka penguar Ilir Shehun, të transformohet në Shqipëri në një biznesmen të sukseshëm duke ngritur biznese dhe me njerës të politikës.
Gazetari Elton Qyno ka mësuar se një ndër kompanitë që është vënë në sekuestro lidhet drejtpërdrejt me ish-deputetin e PS, Artan Gaçin, bashkëshortin e ish-ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka, të cilët aktualisht janë vënë nën hetim nga prokuroria e posaçme SPAK si të dyshuar në “Korrupsion pasiv” dhe “Pastrim të Produkteve të veprës penale”.
Bëhet fjalë për kompaninë e ilaçeve “Unipharma” e themeluar qysh në muajin Tetor 2017 mes dy ortakëve Artan Gaçi që përfaqëson kompaninë “AG.TÇ” dhe biznesmenin tjetër Ilir Shehu të dënuar në Itali për trafik droge, shfrytëzim prostitucioni dhe “Mashtrim financiar”.
Në këtë kompani Ilir Shehu, zotëron 50 për qind të aksioneve ndërsa pjesën tjetër prej 50 për qind të aksioneve i zotëron Artan Gaçi, përmes kompanisë së tij “AG.TÇ”. Sipas prokurorisë së Tiranës, nën sekuestro janë vendosur pasuritë dhe kuotat e akisone që zotëron vetëm Ilir Shehu.
Vendimi i gjykatës sipas burimeve të prokurorisë së Tiranës, nuk shtrin efektin tek pjesa tjetër e pasurisë që zotërohet nga aksionerët.
Sipas dosjes së prokurorisë së Tiranës, Ilir Shehu alias Pasholli erdhi nga Italia, ku ishte dënuar për trafik droge, vjedhje, pengmarrje dhe shfrytëzim prostitucioni, dhe ngriti një perandori kompanish farmaceutike në kryeqytet me para të paligjshme.
Një hetim i prokurorisë së Tiranës ka arritur në konkluzionin se 4 kompani farmaceutike, “Medicamenta”, “Mega Store”, “Unipharma” dhe “Italialbania Pharma” dhe pasuri të tjera, dyshohet se Shehu i krijoi pikërisht me fitimet e aktivitetit të paligjshëm.
Të gjitha këto biznese, ndër më fitimprurëset në tregun e ilaçeve në vend janë sekuestruar me vendim të gjykatës së Tiranës, pas kërkesës së prokurores së Tiranës, Suela Salavaçi.
Ndërkohë bashkë me kompanitë farmaceutike janë sekuestruar edhe 8 prona të paluajtshme në emër të Ilir Shehut, 8 makina dhe prona të regjistruara si pronësi e bizneseve si dhe 6 prona të paluajtshme në emër të Hajrie Shehut, bashkëshortes së Ilir Shehut.
Hetimi ndaj Shehut nisi pas një ankesë të bërë ndaj tij nga dy qytetarë, ndërsa më pas u zbulua se përveç dënimit dhe aktivitetit kriminal të konfirmuar me vendime gjykatash, ai ishte zbuluar nga autoritetet italiane si pjesë e një skeme të sofistikuar kontrabande me ilaçe mes Italisë dhe Shqipërisë.
Në njoftimin për shtyp, të shpërndarë nga prokuroria e Tiranës, thuhet se Ilir Shehu alias Pasholli, kryente blerje të ilaçeve në Itali me faturë zyrtare, ku regjistronte mbi 10 artikuj të ndryshëm farmaceutikë.
Pasi e kalonte në mënyrë të rregullt në doganën Italiane, në pjesën shqiptare niste manipulimi. Ruhej vlera dhe pesha por shkurtohej lista e artikujve, duke deklaruar vetëm 4 ose 5 produkte, ndërsa pjesa tjetër futej në tregun shqiptar pa dokumentacion të rregullt.
Një pjesë e këtyre barnave, legalizohen nëpërmjet një operatori tjetër, me qëllim të fshihen gjurmët e origjinës së kontrabandës. Për këtë çështje hetimet vijojnë.
Prokuroria thotë se Shehu ka krijuar pasuri të mëdha mbi aktivitetin e tij kriminal edhe për shkak të një mos kontrolli të institucioneve.
Ai zotëron dy godina biznesi në Tiranë, të krijuar me kapital pas dënimit për trafik ndërkombëtar droge në Itali. Për më tepër, aksioneri italian i njërës prej kompanive, Medicamenta, është një shtetas italian nën akuzë për korrupsion në vendin e tij.
Pavarësisht këtyre fakteve, kompanitë e Shehut kanë operuar lirisht në tregun shqiptar, pa iu nënshtruar ndonjë kontrolli serioz pasuror ose ligjor, edhe pse ligji antimafia parashikon sekuestrim të pasurive për individë të dënuar për trafik ndërkombëtar droge.


© SYRI.net