Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, e parashikuar për të martën, nuk u zhvillua për shkak se nuk kishte kuorum.
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Ardian Gola, njoftoi për dështimin e mbledhjes dhe foli gjithashtu për Projektligjin për Gjykatën Speciale. Sipas tij, vazhdimi i seancës së ndërprerë, në të cilën ishte planifikuar shqyrtimi i projektligjit, duhet të caktohet përmes koordinimit dhe marrëveshjes ndërmjet partive politike.
Të lidhura
None found
“Kjo çështje nuk ka qenë fare në rendin e ditës së Kryesisë. Seanca u ndërpre për mungesë kuorumi dhe kryetarja Haxhiu ka autorizuar që të koordinohet me shefat e grupeve parlamentare për caktimin e datës së vazhdimit. Vendimi varet nga dakordimi politik, të cilin do ta menaxhojë dhe drejtojë kryetarja e Kuvendit”, u shpreh Gola.
I pyetur lidhur me dënimin e shpallur sot nga Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, Gola shprehu keqardhje për procesin gjyqësor që po zhvillohet në këtë institucion.
Ai bëri të ditur se vendimi i fundit i Speciales do të trajtohet edhe nga grupi punues për strategjinë për katërshen e UÇK-së, të cilin e udhëheq zëvendëskryeministri Glauk Konjufca.
“Na vjen keq për të gjithë procesin që po zhvillohet në Dhomat e Specializuara. Kemi krijuar një grup punues të udhëhequr nga zëvendëskryeministri Glauk Konjufca dhe shpresojmë që edhe ky vendim të përfshihet si çështje shtesë në punën e tij”, tha Gola.






