
Me 6 vota pro, Peter Saraçi është zgjedhur kryetar i Bordit të Administrimit të Universitetit “Luigj Gurakuqi”. Mbledhja e parë e konstituimit të Bordit Administrativ të ri të UNISHK, është zhvilluar në orën 13:00 të kësaj të marte, teksa edhe Ministria e Arsimit emëroi 3 përfaqësuesit e saj në këtë organ pak më herët.
Njoftimi për mbledhjen e parë konstituuese të Bordit të Administrimit (BA), është bërë nga rektorja e UNISHK, Blerta Dragusha, e cila ka shpërndarë një mail për anëtarët e BA- së dhe administratorin. ShkodraWeb ka siguruar këtë e-mail dhe mund ta lexoni më poshtë.

Siç shihet, njoftimi mban datën 15 nëntor 2026, pak a shumë 48 orë para orarit të nisjes së mbledhjes. Rreth 3 orë e gjysmë para orarit zyrtar të nisjes së kësaj mbledhje të Bordit të Administrimit, përmes e-mail-it, edhe për pedagogët e brendshëm, ka reaguar Adrian Leka, i rikonfirmuar si anëtar por edhe deri ditën e sotme, kryetar i BA-së së UNISHK. Në komunikimin e siguruar nga ShkodraWeb, Leka kujton, duke iu referuar vetë Rregullores së BA-së, se njoftimi duhet të bëhet jo më pak se 5 ditë përpara datës së vendosur. Po ashtu, ai shton se mbledhja e parë e konstituimit të organit kolegjial, kërkon domosdoshmërisht prezencën e të gjithë anëtarëve të BA- së duke ju referuar nenit 28, pika 6 të Statutit të USH-së, ku përcaktohet se: “Bordi i Administrimit zgjedh kryetarin, me 2/3 (dy të tretat) e votave të të gjithë anëtarëve.”. Kryetari i derisotëm i BA-së, Adrian Leka shprehet hapur se “kundërshtoj në mënyrë kategorike ligjshmërinë e thirrjes së kësaj mbledhjeje dhe zhvillimin e saj”.

Në të njëjtën linjë me Lekën, ka qenë edhe Brikena Kapisyzi, antare e BA-së edhe ajo deri ditën e sotme, teksa mund të shihni reagimin e saj në tekstin e e-mail-it që ShkodraWeb ka siguruar.

ShkodraWeb ka mësuar se Adrian Leka nuk ka qenë i pranishëm në këtë mbledhje, teksa sipas informacioneve të pakonfirmuara, ka patur synim edhe rikandidimin për postin e kryetarit të BA-së së UNISHK. /ShkodraWeb/




