Aksidenti tragjik i mori jetën shefit të Krimeve në Vlorë, arrestohet shoferi i skrepit
Është arrestuar drejtuesi i mjetit të rëndë që u përfshi në aksidentin tragjik në aksin rrugor Fier-Vlorë, ku humbi jetën shefi i Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, Ermal Lulaj.
Në pranga ka përfunduar 63-vjeçari Thanas Poçaj, i cili drejtonte skrepin që u përplas me automjetin e efektivit të policisë. Ai kishte mbetur i plagosur nga aksidenti dhe ishte transportuar për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Vlorës.
Arrestimi i tij është kryer pasi 63-vjeçari ka dalë nga spitali, ku po merrte trajtim për dëmtimet e pësuara gjatë përplasjes.
Aksidenti i rëndë ndodhi mbrëmjen e së hënës në autostradën Fier-Vlorë, në afërsi të fshatit Novoselë. Përplasja rezultoi fatale për Ermal Lulajn, i cili humbi jetën në vendngjarje.
Ndërkohë, grupi hetimor vijon punën për të përcaktuar dinamikën e plotë të aksidentit, shkaqet që çuan në përplasjen fatale dhe përgjegjësitë e personave të përfshirë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



